EKSKLUZIVE- Pas heqjes së fletarrestimit, Milan Radoiçiq futet në Kosovë

Vetëm pak ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë heqjen e fletarrestimit ndaj Milan Radoiçiq, ai është parë duke hyrë në territorin e Kosovës.

KALLXO.com mëson se më datën 09.03.2021, rreth orës 12:00, Milan Radoiçiq, është parë duke hyrë në pikë-kalimin kufitar në Bërnjak.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje nga Radoiçiq por ai nuk është përgjigjur.

KALLXO.com ka provuar që të marrë përgjigje edhe nga forcat e rendit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Kjo është vetura me të cilën Radoiçiq është futur në Kosovë, ditën e martë rreth mesditës.

Milan Radoiçiq ka qenë në kërkim me anë të një letër – rreshtimi në lidhje me vrasjen e ish- politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq për çka dyshohej se ka marrë pjesë në organizimin dhe vrasjen e Ivanoviqit.

Sipas një aktakuze të ngritur nga Prokuroria Speciale në Kosovë, Milan Radoiçiq dhe një serb tjetër i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, ishin udhëheqësit e një grupi të organizuar kriminal përgjegjës për vdekjen e Oliver Ivanoviqit.

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti në Gjykatën e Prishtinës ka filluar procesi gjyqësor në rastin për vrasjen e ish-politikanit serb të Kosovës, Ivanoviq.

Më 5 shkurt, pritej të mbahej shqyrtimi fillestar, në të cilin të akuzuarit pritej të deklaroheshin rreth fajësisë, por mediat u lejuan që të marrin pjesë vetëm kur u lexua aktakuza.

Por, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, fletrreshtimi ishte tërheq ndaj tij.

Lajmin e pati konfirmuar gjykatësi Valon Kurtaj për KALLXO.com.

“PRSK (Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës) ka bërë kërkesë për tërheqjen e letër- rreshtimit dhe gjykata duke vepruar sipas kërkesës së saj e ka tërhequr letër-rreshtimin”, kishte deklaruar ai.

Ish-politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, u vra më 6 janar 2018.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale është ngritur ndaj Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Zharko Jovanoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basaras dhe Dragisha Markoviqit.

Kurse si udhëheqës të grupit kriminal janë të dyshuar Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Lajmet për vrasjen e Oliver Ivanoviq si dhe të kërkuarin Milan Radoiçiq mund t’i lexoni në këtë link.

Ndaj  tërheqjes së fletarrestimit pati reagime të shumta ndërsa si të pa kuptimtë e kishte quajtur edhe ish-prokurori special, Sylë Hoxha.

Në mënyrë misterioze Prokuroria Speciale tërheq letër-rreshtimin për Milan Radoiçiqin

www.kallxo.com