Ekskluzive - Nisin hetimet ndaj RTK-së për kontratën e marrjes me qira të 17 veturave

Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Kosovës, ka nisur hetime ndaj Radio Televizionit të Kosovës rreth kontratës së RTK-së për marrjen me qira të 17 veturave në vitin 2019.

Në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se dyshohet për parregullsi gjatë aktivitetit kontraktues.

“Në DHKEK jemi duke hetuar rastin sipas autorizimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, departamenti për Krime të Rënda, lidhur me aktivitetin tenderues me numër të prokurimit RTK-19-180-1-1-1 për marrjen e 17 veturave me qera nga RTK”, thuhet në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com.

Njësit hetuese kanë kërkuar nga RTK-së sqarime rreth procedurës së ndjekur në këtë tender.

Radio Televizioni i Kosovës në vitin 2019 kishte nënshkruar kontratë me kompanin “ATLLAS-N” për marrjen me qera të 17 veturave, nga to 15 limozina për nevoja të RTK-së, një veturë për nevoja të drejtorit të përgjithshëm dhe një furgon (kombi) me një vlerë totale prej 517,140 eurove për shfrytëzim të tyre për pesë vite.

 

“ATLLAS-N”, Sh.P.K kishte qenë e vetmja kompani ofertuese për këtë tender.