Ekskluzive në Artmotion dhe Klan Kosova: Shefat Isufi kundër kubanit Ericles Torres Marin

Boksieri shqiptar Shefat Isufi, do të ndeshet me kubanin Ericles Torres Marin në kuadër të turneut ‘Petkos Boxing’ , ku ndeshja do të zhvillohet në Beograd këtë të Premte duke filluar nga ora 18:30. Këtë duel shqiptarët anembanë botës do të mund ta shikojnë në Artmotion dhe Klan Kosova.

Për 31 vjeçin e lindur në Tërnoc të Bujanocit i cili tash e 11 vite lufton me nënshtetësi gjermane dhe zakonisht rrahet në kategorinë e mesme do të jetë kjo lufta e parë në pesha super të mesme.

Shefat Isufi i cili midis kryeqytetit serb do të ngjitet në ring me ngjyrat kuq e zi, ka karrier të suksesshme me 36 luftëra, prej tyre 30 fitore (22 me nokaut), 4 humbje dhe 2 barazime.

“Pas një pauze të gjatë do të ngjitem në ring kundër një boksieri me përvojë mjaft të madhe. Dëshira ime për t‘u bërë kampion bote nuk shuhet asnjëherë” ka deklaruar Isufi, në faqen e tij të zyrtare në facebookut në prag të ndeshjes me kubanin Ericles Torres Marin i cili në karrierë ka 20 fitore (8 me nokaut), 17 humbje dhe 1 barazim.

Boksieri shqiptar është shprehur se është shumë mirë i përgatitur për këtë ndeshje dhe në formë të shkëlqyeshme. “Jam përgatitur rreth 6 muaj sepse shkaku i virusit më është shtyrë ndeshja por stërvitjet nuk i kam ndalur asnjëherë dhe tash erdhi momenti të ngjitem në ring” shkruan Isufi me shumë optimizëm dhe shumë i kënaqur.

Fillimisht, Shefat Isufi kishte hezituar të ndeshet në Beograd duke e ditur se nuk do të ketë përkrahjen e bollshme të tifozëve shqiptarë megjithatë kjo i ka dhënë motiv shtesë. “Unë do të ngjitem në ring si shqiptarë dhe do të mundohem t‘i prezantojë ngjyrat tona ku në ring do të ngjitem me veshje kuq e zi” tha Shefati i cili beson në fitore dhe përkundër restrikcioneve për shkak të pandemisë dhe numrit të kufizuar të shikuesve, ai shpreson të ketë një numër të caktuar të shqiptarëve që do të vijnë ta përkrahin në sallën e hotelit Hyatt Regency të Beogradit.

Meçi Sefat Isufi – Ericles Torres Marin fillon nga ora 18:30 dhe do të transmetohet direkt në Art Sport 1 dhe Klan Kosova.