Sulmi fizik ndaj Gazmend Muhaxherit

Ekskluzive: Momenti i sulmit fizik ndaj Gazmend Muhaxherit - VIDEO

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri më datë 26.10.2024 ishte sulmuar fizikisht nga dy persona, të cilët tashmë janë arrestuar nga Policia e Kosovës e gjenden në paraburgim për një muaj.

KALLXO.com ka siguruar pamjet se si ka ndodhur sulmi ndaj kryetarit të Pejës, për të cilin në ditën e sulmit Policia kishte thënë se kishte marrë lëndime trupore.

 

Të nesërmën, më 27.10.2024 Policia në raportin 24 orësh kishte thënë se se ende nuk dihen motivet e këtij sulmi.

“Dy meshkuj (njëri prej tyre kryetari i komunës së Pejës) derisa ishin duke ecur në rrugë janë sulmuar fizikisht nga dy të dyshuarit me ç‘rast viktimat kanë pësuar lëndime trupore. Pas një pune hetimore dy të dyshuarit janë lokalizuar dhe arrestuar nga Policia” – kishte njoftuar Policia më 27.10.2024.

Pas sulmit kishte reaguar edhe vet kryetari i Komunës. “Jam shëndosh e mirë” – kishte shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

“I rrethuar mes miqve. Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falënderoj të gjithëve për interesimin” – kishte shkruar Muhaxheri deri sa në fotografi shihet në shoqëri të disa personave.

Muhaxheri nuk ka thënë ndonjë detaje shtesë se cilat janë, teksa në datën e sulmit kishte reaguar edhe avokati i tij, Dukagjin Kerveshi.

“Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare” – kishte thënë Kerveshi.

Gjykata e Pejës më 28.10.2024 ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve për rastin e sulmit ndaj kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Muhaxheri ditën e sulmit ishte vizituar nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili i kishte bërë thirrje autoriteteve të rendit dhe drejtësisë t’i marrin hapat e domosdoshëm dhe të menjëhershëm në zbardhjen e plotë të këtij akti.