Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ekonomia mes premtimeve për ulje të TVSh-së dhe kërkesave për pagimin e rrymës në veri

Përfaqësuesit e partive politike nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës shpalosën programet e tyre qeverisëse dhe kërkesat tyre për zhvillimin ekonomik në #DebatPernime.

Në mesin e shumë premtimeve e kërkesave u diskutua për fiskalizimin qendror, heqjen e akcizave e arkave fiskale, hapjen e kazinove, ngritjen e pagës minimale, uljen e TVSh-së për listën e produkteve esenciale, uljet e ngritjet e akcizës për duhanin dhe alkoolin, e shtrirjen e sovranitetit edhe në veri.

Kandidatja për deputete, Hykmete Bajrami nga radhët e Lidhjes Demokratike premtoi që do të krijojnë incentiva që operatorët ekonomik të kenë më të lirë veprimin në sektorin formal se në atë informal. 

Bajrami tha se do të punojnë për fiskalizimin qendror që   të centralizohet që t’i shndërrojnë qytetarët në inspektorë në mënyrë që t’i skenojnë kuponët fiskalë dhe shteti t’ia kthejë 2%.  Ajo premtoi mbështetje ndaj sektorit të teknologjisë informative, udhëzimin për pushimet tatimore,  mbledhjen e TVSh-së brenda mandatit, bashkimin gradual të ATK-së dhe Doganës brenda vitit të parë, përkrahjen e biznesve të grave e zgjerimin e listës së produkteve me 0% të tatimit në vlerën e shtuar.

Kurse për shtrirjen e dialogut në veri, duke filluar nga pagesa e rrymës Bajrmai tha se dialogu të jetë pjesë përbërëse e agjendës së qeverisjes që të shtrihet sovraniteti në katër komunat e veriut. 

“Temë kryesore do të jetë përmbyllja e dialogut kjo është një çështje kryesore jo vetëm politike por edhe ekonomike, shtrirja e sovranitetit në veri” tha Bajrami.

Bajrami deklaroi që duhet të bëhet intensifikimi i dialogut, njohja reciproke brenda një viti dhe se çështja me Serbinë të përbyllet brenda një viti. 

Bajrami premtoi rritje të akcizës së duhanit ose vazhdimin e përdorimit të metodës fikse, krijimin e politikave të veçanta për subvencionim të prodhuesve të duhanit nga Ministria e Bujqësisë,

“Ne e dimë se çka do të thotë akciza, vendoset në mallrat e luksit dhe ato të dëmshme. Nëse dëshirojmë të mbështesim sektorin e prodhimit të duhanit ka mënyra të tjera dhe nuk bëhet përmes heqjes së akcizës por përmes subvencionimit. Ne do të vazhdojmë me mbajtë akcizën, nëse unë pyetem do ta rrisim akcizën” deklaroi Bajrami.

Bajrami tha që nuk do të rrisin tatimin në akcizë për alkoolin por do të të fillojnë të vendosin akcizë në produkte të tjera si p.sh tek plastika dhe se duhet të zgjerohet lista e produkteve me 0% të tatimit në vlerën e shtuar.

Ndërsa për tatimin për pronë tha që do të fillojë shumë shpejt dhe se në momentin e parë që sigurohen se a janë eliminuar pasojat e pandemisë. 

“Sipas legjislacionit nuk është menduar të ketë pas një dallim mes një hektari që punohet dhe atij që nuk punohet. Nëse nuk e punojnë tokën do të tatimohen, kështu që detyrohen t’i punojnë apo t’i japin me i punu të tjerët” tha Bajrami.

Ndërsa për problemin e pagimit të tatimit në mobilshope ajo tha se duhet të intensifikohen vizitat jo vetëm në mobilshopet por edhe në biznese të tjera.

Sipas saj, kanë biseduar më  ATK-në që të instalohet një softwer që telefonat mos të mund me hyjnë në funksion nëse nuk debllokohen e ata nuk mund të debllokohen nëse nuk ka të paguar tatimin.

Ndërsa për aktivitetin e kazinove Hykmete Bajrami ka thënë se kazinove e lojërave të fatit do t’u bëhet një analizë fillimisht.

Bajrami ka thënë se nëse si Qeveri nuk do të arrijnë që t’i kontrollojnë, pas analizës, atëherë nuk do t’i rihapin.

“Kazinotë janë mbyll me ligj dhe kërkesa e seanca ka qenë kërkesë e jona sepse kanë dalë jashtë kontrollit të çdo institucioni në çdo cep të Kosovës. Ne e kemi dërguar ligjin për Lotarinë e Kosovës dhe me atë ligj e kemi rregulluar vetëm funksionimin e lotarisë së Kosovës duke mos lejuar baste e gjëra të tilla”, ka deklaruar Bajrami.

Ajo tha se ato nuk do të hapen nëse nuk janë në gjendje ta kontrollojnë. Ndërsa aktivitetet online deklaroi se do t’i  rregullojnë me legjislacionin e ri.

Ndryshe nga Bajrami, kandidati për deputet nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, vëri në pah kërkesa të dukshme për komunitetet me të cilat përballen komunitetet jo-shumicë në Kosovë.

Krasniqi kërkoi që të respektohet shteti ligjor në çdo cep të Kosovës, të shtrihet sovraniteti i shtetit në veri, të mbështetet sektori privat që të punësohen më shumë të reja dhe të rinj të komuniteteve, të mbështeten nënat e papuna në 6 muajt e parë të lehonisë me 250 euro, të rritet asistenca sociale, të fokusohemi në politikat e gjelbërimit dhe riciklimi, të rregullohen me ligj kazinot dhe lojërat e fatit, të mbështeten ata që e punojnë tokën e të rritet paga minimale në 250 euro.

Pavarësisht të gjitha kërkesave ai tha se do të insistoj që TVSh-ja e produkteve nga lista esenciale të zbritet në 0%, si mielli, qumështi e të tjera. 

Ndërsa për zbritjen e akcizës për duhanin dhe alkoolin Krasniqi tha që janë produkte luksi për të cilat as nuk diskutojnë.

“Këto janë produkte luksi dhe akciza është më se normale dhe gjithkund janë normale. Nuk e kam fort dertin te këto produkte që janë luks kur përfaqësojë një komunitet shumë të varfër në Kosovë kam ngarkesa të tjera”, tha Krasniqi.

Ndërsa diskriminim ndaj komuniteteve ai po e konsideron faktin që egjiptianët duhet të paguajnë rrymën për serbët e veriut.

“Nëse një egjiptian në Gjakovë, Pejë apo Fushë Kosovë, vonohet një ditë ta paguaj rrymën atij i ndërprehet rryma, e pse një serbi në veri të Kosovës i duhet një komoditet i tillë. Pse ne duhet të paguajmë për ta kur ato mjete mund t’i investojmë në pjesë tjera në probleme tjera që kemi”, tha Krasniqi në DebatPernime.

Kurse për shpërlarjen e parave në Kosovë, Elbert Krasniqi po pretendon se disa organizata të komuniteteve jo-shumicë janë përdorur nga Qeveria Hoti për pastrim të parave.

“Edhe institucionet publike edhe lokale shfrytëzojnë OJQ-të lokale për të pastruar paratë. Pastrim e kam fjalën, me iu dërgu disa para atyre që ata të kryejnë disa punë politike dhe partiake. Kemi pas raste në Qeverinë Hoti ku ka financuar OJQ-të politike. OJQ që kanë fituar fonde nga Zyra e Kryeministrit për çështje të komunitetit që janë të themeluara nga anëtarë të subjekteve politike që janë pjesë e koalicionit”, tha Krasniqi në DebatPernime.

Sipas tij këto organizata janë Instituti për Hulumtime Socio-Juridike të Komunitetit Egjiptian dhe Nihlasit e Ballkanit me themelues kryetarët e degës Partisë Liberale Egjiptiane në Pejë Edmond Shkodrani, Zenun Xhaferi, Emine Murtezi.

Ndërsa, Fatmir Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës premtoi që nëse vijnë në pushtet do t’i japin institucioneve të gjitha drejtat dhe mjetet që ta shtrijnë ligjin edhe në veri.

“Duhet t’iu dërgohet arka fiskale dhe të dënohen si çdo qytetar tjetër në veri. AAK ka me shtri sovranitetin edhe në veri. Do të bëjmë projekt, ATK dhe Policia kanë me shtri sovranitetin atje, përndryshe po pajtohemi me ndarje. Me neve menjëherë shtrihet sovraniteti, në vitin e parë të qeverisjes, në 2021, nuk ka më me prit” tha Gashi.

Gashi premtoi që tatimi mbi vlerën e shtuar do të mblidhet në vitin e parë ndërsa në vitin e dytë në 2022 do të shkojë mbledhja në faturim, do të rikthejnë industrinë e prodhimit të duhanit, çdo fëmije që dërgohet në çerdhe publike dhe private t’iu jepen 40 euro, do të ulet taksa te ushqimi për fëmijë në 0% dhe veshmbathje 8%, do të rishikohet komplet lista dhe produktet esenciale, veturave që hyjën në Kosovë t’i bëhet testimi i djegies.

“Ne duhet të marrim politika të shpejta. Të zbritet edhe TVSh-ja, të zbritet në 8%, veturat e reja të lirohen nga TVSh dhe dogana. Deri në 2030 nuk do të ketë më vetura me naftë” deklaroi Gashi.

Ndërsa për luftimin e informalitetit e shpëlarjes së parave ku janë të inkuadruar institucionet relevante Bajrami tha se do të shtojnë pagesat elektronike që të zvogëlohet ekonomia joformale.

Përpos këtyre Gashi premtoi edhe  një taksë specifike për atë tokë, ata që e punojnë tokën do ta kenë taksën 0%, imeplementimin e tatimit në pronë në vitin 2021,  ATK duhet t’i ketë në fokus telefonat e padoganuar, tatimi në eksport në të ardhurat e korporatave do të jetë 0%,shërbimet të cilat eksportohen tatimet do t’i kenë 0%, tatimi në të ardhura – për 170 euro 0%, për 270 euro 4% dhe për 370 euro 8% dhe se një administratë në ATK të merret vetëm me TVSH.

Kurse për kazinotë Fatmir Gashi ka thënë se duhet të lejohen në Kosovë dhe të rregullohen nëpër vende të caktuara.

“Te programi jonë është e paraparë që kazinotë të koncentrohen në vende të caktuara e në pjesë të caktuara të Kosovës. Nëse përcaktohemi që ta kemi një në Podujevë, ta kemi një në Prizren, një në Gracanicë, atëherë t’i kemi këto kazino në raste të caktuara”, tha Gashi i AAK-së.