Ekonomia, energjia, turizmi e kultura, temat boshte mes Kosovës e Maqedonisë e Veriut

Bashkëpunimi ekonomik, çështjet energjetike, ato të turizimit e të kulutrës, janë disa nga temat bazë për të cilat, siç njofton zyra e kryeministrit Albin Kurti, janë diskutuar në takimin mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut.

Takimi, thuhet në komunikatë, nisi me pritjen e Kurtit nga homologu maqedonas Zoran Zaev, me  nderime të larta ushtarake e shtetërore.

Kryeministria përmes komunikatës ka bërë të ditur se, Kurti ka mbajtur takim me kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa ministrat zhvilluan takime me ministrat homolog.

Në komunikatë potencohet se në mbledhjen e përbashkët që po zhvillohet, mes tjerash, do të nënshkruhen marrëveshje dhe memorandume për ndërlidhjen infrastrukturore të të dyja vendeve, për lehtësimin dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe komunikimin, si dhe memorandume dhe programe tjera, që përfshijnë bashkëpunimin e projekteve ndërkombëtare me mbështetjen e programeve IPA të BE-së, bashkëpunim në fushën e energjetikës, si dhe në plan të turizmit, kulturës dhe avancimit të iniciativave të përbashkëta të inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik.

Kjo mbledhje e përbashkët e të dy qeverie, sipas komunikatës, është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë më intensive të bashkëpunimit të ndërsjellë, por edhe shprehje e vlerësimit për marrëdhëniet e mira fqinjësore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.