
Ekonomia e Kosovës u rrit mbi 3.5% në vitin 2022
Bruto Produkti Vendor [BPV], në tre muajt e fundit, tetor-dhjetor, të viti të kaluar ka shënuar rritje për 3.55 për qind në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit 2021. Bazuar në tremujorin e fundit, ASK jep vlerësim paraprak se rritja ekonomik në Kosovë në vitin 2022 ishte 3.51 për qind.
Sipas të dhënave të ASK-së, aktivitetet ekonomike që kishin rritje në këtë tremujor ishin: Industria përpunuese 12.52 për qind, aktivitetet financiare dhe të sigurimit 11.53 për qind, aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse 8.71 për qind, Industria nxjerrëse dhe përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave dhe rehabilitimi 7.93 për qind.
Më tej thuhet se tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor 6.16 për qind, Informacioni dhe komunikimi 5.94 për qind, artet, argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vetë dhe shërbime të tjera 5.41 për qind, bujqësia, pyjet dhe peshkimi 3.35 për qind, aktivitetet e pasurive të paluajtshme 1.76 për qind, administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia 0.53 për qind,.
Në anën tjetër, aktiviteti ekonomik, që shënoi rënie në këtë tremujor ishte ndërtimtaria -11.81 për qind.
ASK tregon se ku pati rritje sipas shpenzimeve
“Ndërkaq, komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve, që kishin rritje ishin: Shpenzimet e konsumit final (1.00%); dhe Eksporti i mallrave dhe shërbimeve (9.54%).”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa, rënie kishte: Importi i mallrave dhe shërbimeve -4.96 për qind, formimi i bruto kapitalit -8.78 për qind, dhe shpenzimet e Qeverisë -0.48 për qind.
ASK jep vlerësim e parakohshëm sa i përket rritjes ekonomike që Kosova pati në vitin 2022
“Me vlerësimin e tremujorit të katërt, sipas metodologjisë ASK-ja jep një vlerësim paraprak për vitin 2022, i cili mbështetur në shumën e tremujorëve kishte një rritje reale prej 3.51% krahasuar me vitin 2021. Vlerësimet e tremujorëve të vitit 2022 janë të përkohshme dhe do të rishikohen në bazë të dhënave vjetore”, vlerëson ASK
Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK] i bëri të ditura me publikimin “Bruto Produktit Vendor për tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2022”, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak.