Ekipi mjekësor ushtarak italian bisedon me të rinjtë e Prizrenit rreth COVID-19

Ekipi mjekësor ushtarak italian që vepron në Kosovë ka zhvilluar një bisedë me asamblistët e rinj të Prizrenit për të rritur nivelin e ndërgjegjësimit rreth pandemisë.

Sipas një komunikate për media të KFOR-it, të gjithë pjesëmarrësit ishin prej 18 dhe 22 vjeç, që vinin nga shkollat e mesme dhe universitete të ndryshme.

Takimi u mbajt në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të Prizrenit. Kurse, shumë djem e vajza ndërvepruan në internet. Siç bëhet më tutje e ditur, të pranishmit morën pjesë gjithashtu në sondazhe të ndryshme për të testuar emocionet dhe njohuritë e të rinjve për Covid-19.

Gjatë këtij aktiviteti, KFOR-i paraqiti një intervistë të regjistruar të një 19 vjeçari, i cili kishte qenë i infektuar me COVID-19 dhe e kishte tejkaluar sëmundjen pasi ishte shtruar në spital në kujdesin intensiv.

“Për këtë arsye, falë bashkëpunimit të ngushtë me institucionet shëndetësore në Kosovë dhe rolit lehtësues të KFOR-it, mjekët dhe infermierët ushtarakë italianë mbajtën një ligjëratë për të rinjtë e Kosovës për të vënë theks në domosdoshmërinë e marrjes së masave parandaluese në këtë çast të rëndësishëm dhe për të lënë vendin të ecë përpara. Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale dhe larja e duarve janë të ashtuquajturat “mjete të teknologjisë së ulët” që ekspertët i njohin si mjetet e vetme që ia mundësojnë Kosovës t’i kthehet normalitetit. Nisma u vlerësua shumë nga asambleistët e rinjë dhe nga institucionet lokale, pasi ishte shembulli i parë i bashkëpunimit civilo-ushtarak në fushën e angazhimit të komunitetit për të rritur ndërgjegjësimin mbi pandeminë globale, me një fokus të veçantë tek të rinjtë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

KFOR-i ka shpalosur edhe disa të dhëna të botuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që thonë se të rinjtë përfaqësojnë popullatën më të prekur nga Sars-Cov-2 në Kosovë, edhe pse vetëm disa prej tyre kanë simptoma dhe format më të rëndë të COVID-19. Sidoqoftë, asimptomatikët janë problemi i vërtetë për përhapjen e virusit.

Përveç kësaj, sipas një studimi të fundit, 1/3 e popullatës në Kosovë nuk besonte se virusi ishte i vërtetë, ndërsa 61% thonë se COVID-19 ishte “më pak i rrezikshëm” sesa përshkruhet nga autoritetet dhe mediet.