Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s do të vazhdojë angazhimin për avancimin e FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, së bashku me Komandantin e FSK-së, gjeneral major Bashkim Jasharin, gjatë ditës kanë pritur në takim drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Jörg Rüter.

Në një komunikatë të Ministrisë së Mbrojtjes, thuhet se Mehaj ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për rolin dhe angazhimin e NALT-it në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Kurse, gjeneral Jashari, theksoi rëndësinë e madhe të bashkëpunimit të ngushtë me NALT-in edhe në kohën e detyrës së tij paraprake si Inspektor Gjeneral i FSK-së, duke shprehur besimin se ky bashkëpunim me gjeneral Rüter do të thellohet edhe më shumë në cilësi të komandantit të FSK-së.

Në komunikatë potencohet se, gjeneral Rüter, uroi gjeneral Jasharin për detyrën e re, duke besuar se, sikur edhe nga pozita e mëhershme, bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët, do të vazhdojë, edhe nga pozitat e reja, në funksion të zhvillimit dhe avancimit të FSK-së.