Ekipi i Kosovës gjatë garës për siguri kibernetike. Foto | Blerim Rexha - Facebook

Ekipi i Kosovës mori pjesë për herë të parë në Garën Europiane për Siguri Kibernetike

Ekipi i përbërë nga Korab Keqekolla, Andi Ahmeti, Malsor Abdyli, Abian Morina, Dea Rexha, Enes Hamza, Gerta Hodolli, Erina Blakiqi, Roni Veseli dhe Yll Berisha së bashku me trajnerët Blerim Rexha dhe Hafize Bajrami është ekipi i parë shtetëror nga Kosova që ka marrë pjesë në Garën Europiane për Siguri Kibernetike.

Ata qëndruan në Torino të Italisë ndërmjet datave 08.10.2024 e 11.10.2024 për të marrë pjesë në edicionin e vitit 2024 të kësaj gare që cilësohet si kampionat europain i kësaj fushe.

Pjesëmarrja në këtë garë ishte iniciativë e profesorit të sigurisë kibernetike në Universitetin e Prishtinës, Blerim Rexha.

Por gara tashmë ka bordin mbikëqyrës me përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, ajo e Mbrojtjes, Policia, përfaqësues të kolegjeve që kanë lëndë në këtë fushë, dhe prej disa kompanive që merrem me siguri kibernetike.

“Kjo është garë zyrtare që e organizon Bashkimi Europian përmes Agjencisë për Siguri të Informacionit – ENISA. Kur e pashë që pjesëmarrëse është Serbia bëra kërkesë zyrtare në emër të Kosovës duke u treguar se jam profesor i fushës që merrem me aktivitete të sigurisë kibernetike që sa vite” – thotë profesori Blerim Rexha.

Ai shton se u pranuan si ‘guest-country’ (shtet mysafir) në mbledhjen e Këshillit Drejtues të ENISA-s me mbështetjen e Shqipërisë.

“Unë e shoh si arritje politike e Kosovës, për të cilat nuk ka folur askush” – shton profesori Blerim Rexha.

Ai ka treguar se në këtë edicion kanë pasur mundësi të njihen, ndër të tjera, me shkallën e vështërsisë së garës, të mësojnë për formatin e saj kurse për vitin e ardhshëm kur tashmë do të jenë anëtarë me të drejta të plotë do të fillojnë përgatitjet që në janar 2025.

Profesori thotë se aspekti më i rëndësishëm i garës është se përgatiten kuadro për vendin.

“Krejt ekipi që janë nesër munden me punu për shërbimin inteligjent të Kosovës, FSK-në, sigurinë kibernetike të vendit” – shprehet Blerim Rexha.

Gerta Hodolli, studente e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, është një nga anëtaret e ekipit të Kosovës.

Ajo aplikoi në thirrjen e hapur për t’u bërë pjesë e garës.

Gerta Hodolli thotë se para garës i dinte bazat e sigurisë kibernetike kurse tashmë njohuritë e saj janë rritur dukshëm.

Në të ardhmen ajo thotë se do të vazhdojë të merret me siguri kibernetike si dhe do t’i kontribuojë Kosovës.

“Pika kryesore është me e mbrojtë vendin tonë prej rreziqeve kibernetike pasi e dimë se me rritjen e teknologjisë rriten sulmet kibernetike” – shprehet Gerta Hodolli.

Ajo i sygjeron kolegët e saj të marrin pjesë në edicionet e tjera të garës.

European Cyber Security Challenge është një organizim i përvitshëm ndërkombëtare i iniciuar nga ENISA – Agjencia e Bashimit Europian për Siguri Kibernetike. Ajo bën bashkë talentë të dalluar europianë nga fusha e sigurisë kibernetike deri në moshën 25-vjeçare, duke mos përjashtuar edhe shtete të tjera ‘mysafire’ ndërkombëtare. Qëllimi i garës është që të inspirojë të rinjtë të merrem me këtë fushë, t’i ndihmojë në formësim profesional, t’i rrjetizojë dhe në përgjithësi të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me sigurinë kibernetike në Europë.

Fituese e edicionit të sivjetshëm ishte Gjermania.