Foto: Xhemajl Sllovinja
Ekipi i KALLXO.com fiton 5 nga çmimet vjetore të gazetarisë të ndara nga AGK
Ekipi i KALLXO.com ka fituar 5 prej çmimeve vjetore të gazetarisë të ndara nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Çmimin “TV storja më e mirë” e fitoi rubrika “Shiriti” e transmetuar në emisionin “Jeta në Komunë”, me gjashtë gazetarët: Adelina Ahmeti, Behar Mustafa, Mediana Halili, Shqipron Xhema, Valon Fana dhe Xheneta Murtezaj.
‘Shiriti’ i kryetarit ka sjellë qasje të re gazetareske përmes të cilit janë inspektuar cilësitë e punimeve të projekteve të promovuara nga kryetarët e komunave.
Kameramani i vitit u zgjodh Denis Sllovinja me reportazhin “Kujtimet që s’i mori uji”. Në njëvjetorin e vërshimeve në Skenderaj, kjo storie ka sjellë rrëfimet e qytetarëve që u përballën me ditën më të vështirë të tyre të pasluftës.
Gazetarja Arbrita Uka fitoi çmimin për “Raportimin më të mirë mbi ndërtimin e besimit” me storien “Në Kosovë, futbolli i vajzave shënon gol kundër tabuve etnike“. Kjo storie flet për klubin e futbollit të vajzave “Prishtina”, brenda të cilit luajnë çika që janë shqiptare, serbe dhe boshnjake. Ato vijnë nga Prishtina, Lipjani, Ferizaj, Shtërpca, Shtimja, Peja dhe të tjera. Përveç që kanë thyer një tabu gjinore se futbolli nuk është veç për djem, ato kanë thyer edhe një tabu etnike.
Adelina Ahmeti fitoi çmimin e parë për “Fuqizimin e gruas” me hulumtimin “Dosja e plagosjes në Dragash”, të transmetuar në emisionin “Kallxo Përnime”. Ky hulumtim tregon luftën e një gruaje kundër sistemit, për të shkurorëzuar burrin e saj, të cilin e kishte raportuar edhe për dhunë në familje, për të marrë kujdestarinë e vajzës së saj. Ky hulumtim tregon edhe për kërcënimet që ish-bashkëshorti ia bënte asaj e më pas edhe plagosjen e ish-vjehrrit. Ky emision ekspozon pafuqinë dhe mungesën e vullnetit të sistemit të drejtësisë për t’u përballur me një dukuri siç është dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje.
Kreshnik Gashi fitoi çmimin për “Raportimin më të mirë të sensibilizuar ndaj konfliktit” me dokumentarin “Dokumentimi i ndikimit rus në Ballkan”, i cili shpërfaq se si lideri rus, Vladimir Putin, dhe propaganda e tij kundër NATO-s dhe Bashkimit Europian, kanë gjetur një tokë të plleshme mes audiencës ballkanike dhe se si politikanë të fuqishëm, biznese, media me ndikim dhe grupe të mbështetësve të Putinit kanë ndërtuar “parajsat” e tyre në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Kosovë.
“Suksesi i këtij dokumentari është bukur i madh për shkak se është trasmetuar në 4 televizione lokale në Kosovë, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Mal të Zi. Editorialisht ka mbërri me i kalu kufijtë. Fatkeqësisht vazhdojmë që prodhime të tilla mos me mujtë me i transmetu në televizionin tonë publik, për shkak se hapësira jonë vazhdon me qenë e cenuar prej interesave dhe ndikimit të grupeve të ndryshme aty” – tha Kreshnik Gashi gjatë fjalës së tij.
Fituesit e çmimeve të tjera:
Gazetarja e vitit: Ardiana Thaçi Mehmeti,
Web storja më e mirë e vitit: Nadije Ahmeti,
Çmimi i gazetarisë për fuqizimin e gruas: Vendi i dytë: Blerta Ahmeti, vendi i tretë: Dafina Halili,
Raportimi më i mirë nga sporti: Albijona Hoxhaj,
Raportimi më i mirë rreth antigjipsizmit: Vendi i parë: Qendresa Bellagoshi, vendi i dytë: Gentiana Ahmeti, dhe vendi i tretë: Rexhep Maloku.
Raportimi më i mirë mbi shëndetësinë: Bujar Vitija.
Çmimi për raportimin e përgjegjshëm gjinor për të drejtat pronësore të grave: Merita Miftari dhe Jetlira Ademi.
Çmimi për raportimin mbi ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm: Doruntina Baliu.