Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Ejupi mohon të jetë shkarkuar, thotë se ka dhënë dorëheqje dje përmes emailit

Udhëheqësja e Divizionit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja, Pranvera Ejupi, e ka mohuar të jetë shkarkuar nga pozita e saj në Ministrinë e Drejtësisë.

Ejupi ka thënë për KALLXO.com se dorëheqjen e saj e ka dhënë dje me email tek ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Kam dhënë dorëheqje me email dje, e premte 20 maj 2022 te ministrja”, ka thënë Ejupi për KALLXO.com.

Tutje ajo ka thënë se as në faqe të MD-së nuk ka ndonjë vendim për shkarkimin e saj.

“Shikoni në faqen e Ministrisë së Drejtësisë, s’ka vendim për shkarkim. Përndryshe secili mund të jap dorëheqje dhe është normale dhe të vazhdojmë me punë tjera”, ka thënë tutje Ejupi.

Në anën tjetër, këshilltari i lartë dhe shefi i kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë, Genc Nimani ka thënë për KALLXO.com se Ejupi është shkarkuar nga detyra e saj.

“Nuk ka dhënë dorëheqje por është larguar nga detyra”, ka thënë ai.

Nimani po ashtu i ka treguar dhe arsyet e shkarkimit të saj.

“Znj.Ejupi-Hajzeraj, është shkarkuar nga detyra për shkak të tejkalimit të kompetencave të saj dhe gjithashtu, mosraportimit të saktë”, ka thënë ai.

Themelimi i Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara ishte rrjedhojë e obligimeve që dalin për Ministrinë e Drejtësisë nga neni 7 i Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave Potencial të Akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Qëllimi i tij është mbrojtja juridike dhe mbështetja financiare e personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara.

Shkarkohet udhëheqësja e Divizionit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja, flasin nga Ministria e Drejtësisë