Egzon Azemi: Sa herë që e kritikojmë, Shpend Ahmeti përgjigjet me arrogancë

Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemi, në debatin “Jeta në Komunë” deklaroi se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, shfaq arrogancë sa herë që kritikohet në Kuvendin Komunal.

Sipas tij, debati me Shpend Ahmetin në Asamble pamundësohet, sepse siç thotë Azemi, ai e kalon debatin në çështje personale.

“Arroganca e tij që u shfaq në pyetjet e gazetarit, na shoqëron edhe në secilën seancë të Kuvendit. Çdo debat, çdo temë ka përfunduar në çështje personale. Sepse Shpend Ahmeti sa herë që kritikohet, e pamë edhe me gazetarët, përgjigjet me arrogancë dhe e pamundëson debatin”, tha Azemi gjatë debatit “Jeta në Komunë”.

Tutje Azemi thotë se çdo premtim që është dhënë në fushatën e vitit 2017 është votuar nga grupi i asamblistëve të LVV-së në Kuvendin Komunal.

“Secilin premtim që e ka pasur Shpendi e kemi votuar në Kuvend Komunal edhe kur ka dal nga LVV sepse ne kemi konsideru që një program i tillë është i mirë për qytetin dhe qytetarët”, tha në mes tjerash Azemi.

Ahmeti ka qenë kryetari i vetëm shqiptar që ka refuzuar pjesëmarrjen në debatin “Jeta në Komunë”.

Megjithatë, debati është mbajtur vetëm me anëtarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Me anëtaret e Kuvendit Komunal të Prishtinës janë diskutuar problemet e kryeqytetit dhe premtimet e pa mbajtura të Shpend Ahmetit.

Të ftuar në debat janë: Shefki Gashi, këshilltar nga LDK, Leonora Shabani Bajraktari, këshilltare nga LVV, Fiknete Bejta, këshilltare e pavarur, Leutrim Retkoceri, këshilltar nga PDK, Egzon Azemi, këshilltar nga LVV dhe Dren Shahini, aktivist nga qyteti i Prishtinës.