Egzon Azemi: Genc Bashota e Gazmend Abrashi ia mësyjnë kiosqeve të Prishtinës

Asamblisti i Vetëvendosjes ka thënë se tenderi i hapur nga Komuna e Prishtinës që i favorizon bizneset dhe marketet e mëdha është bërë me qëllim që njërin prej lloteve të fitojë biznesi ortakut të drejtorit të planifikimit strategjikë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, Genc Bashota.

Ai ka thënë se drejtori është bashkëpronar në fabrikën e duhanit së bashku me këshilltarin e kryeministrit në detyrë, Gazmend Abrashi. E ky i fundit është pronar i rrjetit të markeve të mëdha.

“Drejtori Genc Bashota është ortak me Gazmend Abrashin në një biznes të duhanit të cilët janë kanë mësyrë një lloti sepse në kiosqe shitet shumë duhani”, ka thënë Azemi.

Ai ka thënë se komuna e Prishtinës qëllimisht nuk ia ka vazhduar kontratat qiramarrësve me qëllim më ardh deri tek tenderi i madh.

Kurse drejtori, Genc Bashota nuk iu ka përgjigjur direkt akuzave të asamblistit të Vetëvendosjes për synimet që njërin llot të merrë ortaku i Bashotës.

“Këta të Vetvendosjes nuk i kuptoj se po shpifin dhe ky proces është politizu jashtë mase”, ka thënë Bashota.

Ai ka thënë se pronarët e bizneseve që operojnë nëpër kiosqet aktuale janë duke operuar pa kontrata.

“Këta zotëritë që janë prezent nuk kanë kontrata për shfrytëzimin e kiosqeve. Nuk kemi mujt me iu bo kontratat pa i qit në shfrytëzim. I kam marrë të gjitha listat e shfrytëzuesve dhe shumica janë kompani dhe subjekte juridike. Unë nuk po i kuptoj nëse ju e shfuqizoni këtë vendim. Ju keni kërku për të marrë për 40 vjet dhe me iu jap vetëm juve”, tha Genc Bashota.

KALLXO.com ka raportuar për lidhjet bisnesore që kanë Bashota dhe Abrashi në fabrikën e Duhanit.

E Fadil Gashi nga grupi i AAK e kundërshtoi Azemin, duke thënë se grupi i AAK-së ka vendosur t’i përkrah qytetarët që po kërkojnë të ndryshohen rregullat e tenderit.

Asamblisti i LDK-së, Agim Gashi ka thënë se ata janë dakorduar që të pezullojnë vendimin për dhënien me qira të kiosqeve.

“Asnjëherë nuk pretendojmë të dalim jashtë kornizave ligjore. As qeverisja lokale as Kuvendi nuk thirren për të mbrojtur interesat e grupeve të interesit. Në mbledhjen e kaluar bashkërisht të gjitha grupet jemi harmonizuar që të pezullojmë vendimin. Prandaj ne duhet të veprojmë për mbrojtjen e interesave të qytetarëve”, ka thënë ai.