Ilustrim

Egjipt: 32 persona të vdekur në një aksident hekurudhor

Të paktën 32 persona janë vrarë dhe 66 të tjerë janë plagosur të premten si pasojë e përplasjes së dy trenave në jug të Egjiptit, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në këtë vend.

Sipas autoriteteve, ky është një ndër aksidentet më të rënda hekurudhore në këtë shtet.

Në deklaratë është thënë se dhjetëra ambulanca kanë shkuar shpejt në vendin e ngjarjes në provincën Sohag, rreth 460 kilometra në jug të kryeqytetit Kairo.

Egjipti është përballur me incidente të tilla hekurudhore në vjetët e fundit, për të cilat faji i është vënë infrastrukturës joadekuate.

Një nga aksidentet më të rënda ka ndodhur më 2002, kur 373 persona kanë vdekur si pasojë e zjarrit që është përhapur në një tren të mbingarkuar në Kairo./REL