Ilustrim

Efektet e tarifës 100%, rriten çmimet për 2.4%

Çmime e konsumit në muajin shtator u rritën për 2.4 përqind më shumë se në shtatorin e 2018-ës. Kjo rritje e çmimeve bëhet krahasuar me shtatorin e vitit 2018 kur nuk ishte në fuqi tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Kontribut më shumë në këtë rritja dhanë rritja e çmimit të bukës dhe drithërat. Importi i drithërave kryesisht është bërë nga Serbia. Sipas të dhënave të Institutit GAP, importi i drithërave në vitin 2017 kishte një vlerë prej 31.6 milionë euro. Vetëm nga Serbia importi i drithërave kishte vlerën prej 26.2 milionë apo 83% e totalit të drithërave që ka importuar Kosova në vitin 2017.

ASK tregon grupet në të cilat pati më shumë rritje të çmimeve ishin drithërat me një rritje prej 12.5%.

“Kjo rritje prej 2.4% e çmimeve kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra 12.5%; mish 3.2%; qumësht, djathë dhe vezë 1.5%; vajra dhe yndyra 3.0%; pemë 1.9%; sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira 2.4%; kafe, çaj dhe kakao 11.3%; pije alkoolike 2.0%; duhan 2.5%; mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit 1.8%; energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse 0.8%”, thuhet në raportin ASK-së.

Më tej ASK tregon se ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perime -3.2 përqind; shërbime për transport -2.9 përqind -(rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror); pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave -3.3 përqind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.2 përqind në IHÇK.

Kurse, në muajin shtator kishte ulje të çmimeve krahasuar me muajin gusht. Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte -0.1% në muajin shtator 2019.

Nga muaji gusht deri në muajin shtator, çmimet e shportës së konsumit ishin në nivelin e njëjtë respektivisht me një rënie të lehtë.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej -0.1% në muajin shtator 2019, krahasuar me muajin gusht 2019. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: mish -0.7%; qumësht, djathë dhe vezë -0.9%; pemë -2.3%; shërbime për transport -3.6% (rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror); pushime të organizuara -6.8%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.3 përqind në IHÇK”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas ASK-së, rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perime 0.6 përqind; kafe, çaj dhe kakao 1.4 përqind; veshje 0.9 për qind; energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera 1.2 për qind (ngritje e çmimit të drunjve të zjarrit), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës 1.4 përqind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.2 përqind në IHÇK.