Edward Vulliamy: Edukimi mediatik është qenësor për raportim profesional

Edward (Ed) Vulliamy raportues i “The Guardian” dhe “The Observer” ka thënë se edukimi mediatik është themelor për raportim profesional.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se shpesh përgënjeshtrimi i një lajmi është shumë i vështirë marrë parasysh shtrirjen që merr propaganda.

“Ideja e edukimit mediatik është themelore. Gazetaria nuk ka të bëjë me asgjë tjetër veçse të vërtetën. E vërteta është ajo që ka ndodhur, dhe jo rrenat. Puna jonë është të tregojmë se çka ka ndodhur dhe të largojmë atë që nuk ka ndodhur, të pavërtetën. Kjo është jashtëzakonisht e vështirë, edhe pse nuk do të duhej të ishte kaq e vështirë sa që është”, ka thënë ai.

Vulliamy potencoi se kur ishte me ekipin e tij dhe po hulumtonin një kamp përqendrimi në Bosnje, nuk pati asnjë ndikim pasi u përballën me një grup ithtarësh të Trotskit që u frymëzuan nga serbët se ato kampe ishin trillim.

“Kur isha me ekipin dhe po hulumtonim ekzistencën e kampit të përqendrimit Gullag në Bosnje. Natyrisht që pati pasoja, edhe pse zbulimet tona nuk patën ndikim në vazhdimin e luftës, lufta u lejua të vazhdojë edhe për 3 vite tjera.”, shtoi ai.

“Ky përgënjeshtrim nuk erdhi nga Rusia, por erdhi nga një grup ithtarësh të Trotskit nga Gjermania dhe Britania, të cilët u frymëzuan nga ideja e serbëve të Bosnjës, se kinse ato kampe përqendrimi ishin të trilluara. por nëse bëni një kërkim me fjalët ‘Trnopolje ITN Guardian’ , do të gjeni disa rezultate që do të thonë“ kjo është fotografia që mashtroi botën”, dhe “kampet nuk kanë ekzistuar” por ishte e tëra trillim”, shtoi ai.

Ai theksoi se në vend që kjo gjë të konsiderohej si revizionizëm i turpshëm e ofendues, u bë hit në mesin e të majtëve në Londër e ShBA.

“Në vend se kjo të ishte diçka qesharake, të ishte artikull revizionizmi i turpshëm dhe ofendues, një lloj pornografie kundrejt të vërtetës, kjo gjë u bë hit në mesin e majtistëve të Londrës dhe të ShBA-së, pra ata thoshin se unë dhe ekipi  kishim fabrikuar storien rreth kampeve”, shtoi tutje ai.

“Problemi është se në momentin që bie një pikë helm në rezervuarin e ujësjellësit, atëherë ai ujë nuk mund të pihet sepse është helmues kjo storie u bë helmuese, dhe ky është një rast i kohërave të hershme të internetit kur u helmua “ujësjellësi i të vërtetës”, shtoi ai.

Madje, akoma më e rëndë, sipas tij, ishte ofendimi dhe lëndimi që iu bë grave të dhunuara, të mbijetuarve, dhe familjarëve të të vrarëve në këto kampe.

Sipas tij, janë dy segmente që kanë të bëjnë me ndotjen e të vërtetës, këto lidhen me interesat e industrive mediatike që kanë me politikën, por edhe për qëllime të veta.

“Janë dy segmente tjera këtu, që kanë të bëjnë me ndotjen që rrenat ia bëjnë të vërtetës, dhe shembuj ka të shumtë për këtë. Por, desha të përmend shkurtimisht dy gjëra: E para, kur vetë institucionet mediatike cenzurojnë dhe rrejnë për qëllime të tyre politike, dhe kjo nuk është ndotje që vjen nga jashtë, p.sh. nga Rusia, por diçka që vjen nga brenda sistemi. Rast tjetër, kur vetë industria mediatike gënjen me qëllim në oborrin e vet”, shtoi Vulliamy.

Ai thotë se pas Rusisë, radhitet Anglia për nga fabrikimi i gënjeshtrave nëpër media.

“Me siguri Londra, pas Rusisë, është fabrika më e madhe e rrenave në botë. Ne i kemi dy gazeta prestigjioze: The Sun dhe Daily Mail, të cilat shiten në miliona kopje çdo ditë, dhe të cilat ekzistojnë duke u treguar rrena njerëzve, rrena të ndyta, tendencioze, të cilat ishin edhe përgjegjëse për daljen e Britanisë nga BE-ja. Parimi që vlen këtu është parimi i vetë-korrektimit”, shtoi ai.