Ilustrim

Edukata qytetare ligjërohet nga jokompetentët, sociologët lihen anash

Lënda “ Edukata Qytetare” është lëndë e cila ofron njohuri mbi grupet, faktorët, raportet shoqërore dhe mënyrat e veprimit të cilat janë në harmoni me rregullat dhe sjelljet e qytetëruara.

Synimi i kësaj lënde është që të ndikojë tek nxënësi që të bëhet qytetar i denjë i vendit, me dije dhe shkathtësi për të krijuar raporte të mira me njerëzit, dhe me natyrën, zhvillimet shoqërore dhe shkencore.

Lënda përmban tema që kanë të bëjnë me shoqërinë civile, pjesëmarrjen e barabartë dhe respektimin në baza gjinore dhe gjenerative, punën, rolin e  arsimit në zhvillimin shoqëror, Kushtetutën e Kosovës, të drejtat e njeriut dhe llojet e tyre.

Kështu thuhet edhe në kurrikulat lëndore të publikuara nga MASHT.

Mirëpo, përmes një Udhëzimi Administrativ për këtë lëndë MASHT në shkolla publike po u jep përparësi kandidatëve të Edukimit e Juridikut përpara sociologëve. E sipas sociologëve kjo është absurde.

Labinot Konushevci, sociolog për KALLXO.com tha që personi më adekuat për mësimdhënien e kësaj lënde është sociologu.

Ndërsa ata që kanë disfavorizuar kompetencën e sociologëve sipas Konushevcit janë ‘analfabetë të shkencave shoqërore’.

“Komplet lënda e edukimit qytetar është dimension sociologjie, është sferë shoqërore dhe edukative, pra është brenda natyrës epistemologjike dhe konceptuale të sociologjisë”, tha Konushevci për KALLXO.com.

Ai sqaron se për dallim nga të tjerët sociologu në këtë rast është më kompetent për arsye se ka qasje metodologjike dhe shkencore, duke arritur që përmes shpjegimit e temave të Edukatës Qytetare nxënësit të kuptojnë thelbin dhe të zhvillojnë sensin e mendimit kritik.

Edhe pse kjo çështje është një problem i dukshëm i cili po i lë shumë sociolog të diplomuar të pa punë, ajo nuk është adresuar si ankesë tek institucionet përkatëse.

E kjo sipas Konushevcit vjen si pasojë e inferioritetit dhe indiferencës edhe nga vetë stafi i Departamentit të Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Prandaj, si zgjidhje për këtë problem Konushevci thotë se kërkohet mbështetje e vetë Departamentit të Sociologjisë ndaj kuadrove të cilët ata i nxjerrin.

“MASHT  duhet të reflektojë nga debatet të cilat po zhvillohen në lidhje me këtë temë në lidhje me ndryshimin e udhëzimit administrativ”, ka thënë Sociologu Konushevci.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në MASHT, rreth kësaj çështje, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.