Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadorja e re e Kosovës në Portugali, Edona Maloku-Bërdyna, Foto: Vjosa Osmani/X

Edona Maloku-Bërdyna emërohet ambasadore e Kosovës në Portugali

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se ka emëruar Edona Maloku-Bërdynën ambasadore të Kosovës në Portugali.

E para e shtetit e ka vlerësuar Maloku-Bërdynën si profesioniste dhe akademike të dalluar.

“E kënaqur që emërova Edona Malokun, një profesioniste dhe akademike e dalluar, si ambasadorja e re e Republikës së Kosovës në Republikën e Portugalisë. Besoj se përvoja dhe angazhimi i saj do të jenë të paçmueshme derisa punojmë drejt thellimit të lidhjeve të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe aleatit tonë, Portugalisë” – ka shkruar presidentja Osmani, në platformën X, më 12.08.2024.

Ylber Kryeziu u dekretua si ambasador i parë i Kosovës në Republikën e Portugalisë dhe e kishte këtë pozitë para se të emërohej Edona Maloku-Bërdyna ambasadore.

Portugalia e ka njohur Republikën e Kosovës pak muaj pas shpalljes së pavarësisë dhe në vazhdimësi ka ofruar mbështetje për konsolidimin e shtetit të ri dhe integrimin e tij në organizatat ndërkombëtare.

Edona Maloku-Bërdyna ka qenë zëvendësministre e Arsimit, ndërsa ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë një vit më parë, më 01.08.2023.

Përmes një shkrimi në Facebook, Maloku-Bërdyna kishte thënë se arsyeja e dorëheqjes është për arsye subjektive dhe rrjedhimisht sipas saj, e ka pasur të pamundur të vazhdoj detyrën në këtë pozitë.

“Në Qeverinë e Kosovës kam punuar me përkushtimin maksimal personal e profesional. Jam krenare sidomos për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjen e përfshirjes së vajzave/grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës (STEM), avancimin e gjithëpërfshirjes në arsim, zhvillimin e shkencës e inovacionit dhe urëzimin e bashkëpunimeve rajonale e ndërkombëtare” – ka thënë ndër të tjera Maloku-Bërdyna, më 01.08.2023.