Edita Tahiri - Foto: KALLXO.com
Edita Tahiri- Lajçakut: Serbia të ndryshojë Kushtetutën e saj duke hequr Kosovën nga ajo
Ish-Kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë se pika e nisjes drejt marrëveshjes përfundimtare është që Serbia ta ndryshojë Kushtetutën duke e hequr Kosovën nga ajo.
“Pas vizitës së fundit të Lajçakut në Kosovë dhe Serbi, mesazhi im për të është se pika e nisjes drejt marrëveshjes përfundimtare është që Serbia të ndryshojë kushtetutën e saj duke hequr Kosovën nga ajo. Po flas në cilësinë time si ish-Kryenegociatore i Kosovës për shtatë vjet” ka shkruar Tahiri në Twitter.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë do të jetë e nevojshme që të ndryshohej edhe Kushtetuta.
Këto komente, Lajçak i ka bërë nga Beogradi pas takimit që ka mbajtur të enjten në mbrëmje me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se gjatë 25 takimeve në Prishtinë, asnjë nga bashkëbiseduesit e tij nuk e kishte mohuar themelimin e Asociacionit si obligim i dalë nga marrëveshjet me Serbinë të nënshkruara nën ndërmjetësimin e BE-së më 2013 dhe 2015.
“Askush nuk ka thënë se kjo është e pamundur, Kushtetuta nuk është Bibël. Nëse merremi vesh për gjëra serioze, atëherë natyrisht se kjo duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë kishte thënë Laçak.