Ilustrimi i Anibar-it për këtë edicion; Fotografi: Anibar në Facebook

Edicioni i sivjetmë i “Anibar” me mision për të mundur pasojat e izolimit

Me qëllim që të mposhten pasojat që ka lënë pandemia në qenien njerëzore, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar “Anibar” këtë vit të do të sjellë një program që ka temë izolimin.

Ky edicion me nikoqir Pejën, do të mbahet në mënyrë të kombinuar (digjitale dhe fizike) nga 23 deri me 30 korrik, me transmetimin e rreth 300 filmave të animuar nga 1mijw e 413 të dërguar nga e gjithë bota.

Drejtoresha e Festivalit “Anibar”, Arba Hatashi tha për KALLXO.com se filmat do i shfaqin nw tri kinema të hapura dhe dy të mbyllura në Pejë dhe në platformën digjitale online.anibar.org ku të gjitha filmat do të jenë të qasshëm në Kosovë dhe regjion.

“Pas një edicioni digjital siç ishte ai i vitit të kaluar, i cili kushtëzoj ndryshimin dhe përshtatjen e të gjitha aktiviteteve që festivali është i njohur, ky edicion po kthehet përsëri në atë se çka i karakterizon festivalet por gjithsesi me të mirat dhe mësimet që i kemi marrë nga edicioni i vitit 2020”, tha Hatashi.

Vitin e kaluar për shkak të masave të pandemisë, “Anibar” ishte ndeshur me vështirësi si pasojë e kalimit nga një festival që mbahet në formë fizike në atë digjitale.

“Ka qenë e vështirë të planifikosh festivalin, veçanërisht pasi që ne jemi një festival ndërkombëtar. Ka qenë mjaft e vështirë të marrësh mysafirë, juri dhe folës në ‘Anibar’, sepse bota ende nuk është hapur plotësisht”, tregoi Hatashi për KALLXO.com.

Tema e edicionit të 12-të është vetmia dhe klaustrofobia që ka përjetuar njerëzimi gjatë izolimit dhe që përmes programit do të festojnë ëndrrat dhe imagjinatën e të gjithëve.

“Kjo temë do të pasqyrojë atmosferën që ka mbizotëruar gjatë këtyre viteve të fundit, por edhe përtej saj. Falë situatës me pandeminë COVID-19 e gjithë bota e ka kuptuar se çfarë do të thotë kur e ke pothuajse të pamundur udhëtimin, kosovarët veçse e dinë”, tha ajo.

Sipas saj, ata kanë paraparë të shfaqin të gjitha të mirat dhe të këqijat që vijnë me izolimin dhe me kohën në të cilën po jetojmë, duke marrë parasysh sfidat e vendosura tani apo më herët në lirinë e lëvizjes.

“Me temën tonë të këtij edicioni ‘Izolimi’, ne jemi duke filluar një diskutim interesant dhe të rëndësishëm, po edhe shumë të nevojshëm për shoqërinë tonë”, tha ajo.

Filmat që do transmetohen do të ndahen në nëntë kategori. Gjashtë nga këto kategori janë garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Video Muzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Gara e të Drejtave të Njeriut. Tre kategoritë e tjera janë jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj si dhe Programi Eksperimental i cili do të jetë pjesë e festivalit për herë të parë.

Për këtë edicion, Anibar do të ketë premierat botërore të “Raft” nga Marko Mestrovic si pjesë e Garës Ballkanike dhe “Error”  nga Lucie Vostárková si pjesë e Garës Studentore.

Premierën e dytë pas Festivalit të Filmit në Kanë të “Red Shoes” nga Anna Paděrová, në Garën Studentore.

Në këtë edicion Hatashi tha që do të ketë edhe një numër më te madh të filmave nga Kosova të cilët do të garojnë në Garën Ballkanike, atë të të Drejtave të Njeriut, atë të Video Animacionit Muzikor më të mirë si dhe në Programin e Fëmijëve dhe Adoleshentëve. Filma si “Mardhë” nga Flaka Kokolli, “Kush mytet kapet për shkume” nga Urtina Hoxha, “Kona” nga Shpat Morina, dhe “Shtëpia Jonë — Planeti i Fëmijëve” nga Virtyt Pula” u shpreh Hatashi.

Festivali këtë vit do të ketë filma që kanë fituar çmime në festivale të famshëm si “Annecy International Animation Film Festival”, “Cannes Film Festival”, “Berlin International Film Festival”, “Sundance Film Festival”, “Animafest Zagreb”, “Kaboom”, “Fantoche”, “Anifilm, Stuttgart”, “Trickfilm International Film Animated Festival.”

Vitin e kaluar, të ftuar specialë ishin dy regjisorët e serisë së famshme vizatimore “Rick and Morty”, Bryan Newton dhe Matt Taylor.