Foto: Malton Dibra/ LSA

Edi Rama refuzon këshillat e Komisionit Europian për kodin zgjedhor

Kryeministri shqiptar Edi Rama refuzoi prerazi një kërkesë të përsëritur nga Bashkimi Europian që partia e tij të presë një opinion ndërkombëtar para se të vijojë me disa ndryshime në kodin zgjedhor, për të cilat opozita thotë se synojnë t’i japin partisë së tij një avantazh aritmetikor të padrejtë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Europarlamentarë të ndryshëm nga e djathta europiane bënë thirrje të përsëritura gjatë ditëve të fundit që socialistët të mos nxitojnë për të rrëzuar një dekret të presidentit Ilir Meta që ktheu për rishqyrtim ndryshimet e miratuara mes debateve korrikun e kaluar.

Por presioni duket se u rrit mbi Ramën të hënën, kur Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi përdori Tëitterin për t’i dhënë mesazh publik kryeministrit.

“Parlamenti duhet të shqyrtojë mundësinë që të presë opionin e Venecias para se të rivotojë,” shkroi Varhelyi të hënën, duke shtuar se ai pret që në prillin e ardhshëm Shqipëria të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Rama iu përgjigj menjëherë duke deklaruar se një opinion i Venecias është i mikpritur por ai nuk ka ndër mend a presë atë.

“Parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë,” deklaroi ai.

Të martën, Varhelyi e përsëriti mesazhin, duke falënderuar Ramën për mirëpritjen që ai i bën opinionit të Venecias ndërsa komentoi se kjo do të thotë se “është e arsyeshme të pritet ky opinion para votimit në parlament”.

Pyetur nga gazetarët, Rama u përgjigj edhe një herë prerazi ndërsa bëri të ditur gjithashtu se çështja është diskutuar me Komisionin Europian në kanale diplomatike para se të transformohej në shkëmbim mesazhesh publike.

“E kam sqaruar edhe komisionerin në një bisedë që kemi pasur, që parlamenti nuk do presë asnjë sekondë,” deklaroi Rama.

Kuvendi i Shqipërisë votoi me votat e Partisë Socialiste dhe të ashtuquajturës Opozita Parlamentare ndryshimet kushtetuese që ndaluan opsionin e koalicioneve parazgjedhore ndërsa vendosën prag kombëtar në masën 1% të votave nga pragu rajonal i mëparshëm prej 3%. Heqja e koalicioneve parazgjedhore, të atij lloji me të cilin Rama dhe Meta fituan zgjedhjet e vitit 2013, argumentohet se ul peshën e votave të dy partive të mëdha opozitare PD dhe LSI në llogaritjen e mandateve ndërsa vendosja e pragut kombëtar 1% në zëvendësim me pragun rajonaj 3% pritet të pakësojë lehtë shanset e partive të vogla që synojnë një ose dy mandate parlamentare. Ndryshimet pasuese në kodin zgjedhor u kthyen për rishqyrtim nga presidenti Meta, i cili njëkohësisht kërkoi opinionin e Komisionit të Venecias duke sugjeruar se ndryshimet janë antikushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë të enjten për rrëzimin e dekretit të Metës për rikthim të kodit zgjedhor për shqyrtim parlamentar. (reporter.al)