Foto: KALLXO.com

Edi Rama para studentëve: Kosova ka të drejtë në veri, por mos ta pësojë si me taksën 100 për qind

Kosova ka pasur të drejtë për masën për targat dhe dërgimin i njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri është bërë për të garantuar sigurinë. Por qëndrimi i gjatë i forcave speciale atje mund të jetë një gabim i rëndë.

Kështu ka thënë kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama gjatë një takimi që ka pasur sot më studentë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Rama ka thënë se Kosova duhet të jetë syçelë dhe të zhvillojë një diplomaci të kujdesshme kur është fjala për zhvillimet në veri.

“Gjëja që më shqetëson është ajo që të mos ndodhë, siç ndodhi me tarifën, sepse  dërgimit të forcave speciale në veri në momentin e parë  për tu siguruar që nuk ndodhë diçka lënduese për njerëzit, nuk ishte shpallje lufte. Por mbajtja aty për një kohë të gjatë do të ishte bumerang”, ka thënë Rama.

Kurse sa i përket akuzave të Beogradit se serbët po rrezikohen, Rama ka thënë se serbët e Kosovës janë pakica kombëtare më e përkëdhelur.

“Kjo është një nga shembujt më të shkëlqyeshëm se si duhet trajtuar një pakicë kombëtare, pavarësisht se unë nuk e kuptoj dot se si mund t’u paguhen edhe faturat e dritave”, ka thënë ai.

Rama ka mbrojtur projektin “Open Balkan”, duke shtuar se nga zbatimi i tij do të përfitonin të gjithë, duke përfshirë edhe Kosovën.

Ndërsa, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk e ka mbajtur fjalë për liberalizimin e vizave, pavarësisht se, sipas tij, Kosova bëri gjithë atë çfarë i kërkoi BE-ja.

Kryeministri Rama është përgjigjur në pyetje të studentëve edhe sa i përket angazhimit të qeverisë së tij rreth problemeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës si dhe çështjeve të ndryshme rreth bashkëpunimit të gjithanshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Takimi u përcoll edhe me tonë relaksuese. Ramu u pyet edhe për mungesën e kosovarëve në kabinetin e tij.

“Këtë mandatin e tretë do të bëhem kosovar vet, por nuk do të vijë këtu të bëj fushatë për të marrë vota, mos të ketë frikë askush”, ka thënë ai.

Më pas kryeministri Rama bëri një vizitë në Galerinë Kombëtare.

Ky takim është organizuar nga shoqata studentore “Reforma”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Kosovë.