Edi Rama: Kosova e ngre problemin për targat me plot të drejtë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova ka të drejtë të ngrejë problemin për targat.

Ai përmes një reagimi në rrjetin Twitter ka potencuar se që ky problem të zgjidhet dhe të garantohet reciprociteti, duhet shmangur ngrirja e konfliktit në këtë pikë.

Rama potenon se Kosova dhe Serbia duhet të dialogojnë dhe bashkëpunojnë.

“Kosova e ngre problemin me plot të drejtë. Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%). Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”, është shprehur Rama.

Qeveria e Kosovës ka vendosur masë reciprociteti ndaj Serbisë për targat e automjeteve.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.