Edi Rama: Komunikata për akuzat ndaj Thaçit e Veselit, fletërrufe e stilit të Revolucionit Kinez

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftimin për aktakuza ndaj presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit, e ka quajtur fletërrufe e ngjashme si ajo e Revolucionit Kinez.

Këto deklarata i bëri në një konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës. Rama tha se është këtu në funksion të një nevojë kombëtare, për t’i dhënë mbështetje të plotë Kosovës dhe gjithë përfaqësuesve politike “në kushtet kur ka ndodhur diçka e rëndë dhe thellësisht e padrejtë”.

Kryeministri shqiptar tha se takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm dhe është një vijim i përpjekjeve me shumë stacione por sipas tij, edhe një mundësi për ta çuar procesin në një nivel të ri me mbështetjen e drejtpërdrejt të SHBA-së.

“Komunikata e ashtuquajtur, fletërrufe për mu, e ngjashëm si dy pika uji me “komunikatat” publike gjatë revolucionit kinez, sikurse ajo që e kemi jetuar në Shqipërinë e diktaturës, kjo është e pashembullt, dhe e kombinuar në momentin e publikimit të saj, përbënë një arsyeje, nëse publikimi është i rastësishëm apo i qëllimit prag një takimi të rëndësishëm për të thënë se historia e kësaj gjykatë nisi të shkruhet me një akt që abortoi një proces që lidhet me paqen, politik. Sigurisht që, takimi në Shtëpinë e Bardhë përbënë një moment të rëndësishëm për një përpjeke më shumë stacione, por edhe një mundësi për ta quar procesin në një nivel të ri me mbështetjen e drejtpërdrejt të Amerikës. Në këtë aspekt me vjen mirë të them është privilegj të jesh në pozicionin që jam unë, e të kontribuosh për atë që ishte dhe është vlera e luftës çlirime të Kosovës”, tha Rama.

Ai deklaroi se pas njoftimit të aktakuzës duhet të gjithë shqiptarët që të bashkohen dhe të përkrahin luftën e UÇK-së pavarësisht bindjeve politike. Ai tha se

“Dua ta bëj të qartë se me vjen shumë keq kur shoh në reagime të ndryshme, në nivelin qytetar, se si helmi i përditshëm politik, ka ngatërruar në bazën e politikës dhe ndikon që të mos kuptohet të deformohet, thelbi i shqetësimit që kemi si komb qe nuk ndërlidhet me dy persona as me karrierën e tyre politike. Por lidhet më një prej vlerave që është vlera për liri të Kosovës, pjesë e të cilës në mënyrë vendimtare është UÇK”, shtoi ai.

Rama gjithashtu në fillim të konferencës njoftoi se nga sot hyn në fuqi zbatimi i marrëveshjes së përbashkët energjetike.

“Më vjen mirë që para largimit nga Prishtina kemi marrë një lajm shumë të mirëpritur të hyrjes në funksion të rrjetit të përbashkët elektroenergjitik dhe për interkoneksionin falë edhe përfshirjes përfundimisht të Kosovës në tregun e përbashkët energjetik. Është një lajm i gëzueshëm sepse e dimë shumë mirë se sa kohë na është dashur të presim edhe kur bëmë investimin e madhe pastaj kur e përfunduam atë. Nga sot hyn plotësisht në funksion”, tha Rama.

Rama gjatë qëndrimit dy ditor në Prishtinë ka takuar liderët e partive politike, përveç atë të AAK-së, Ramush Haradinajn.