Staf spitalor duke u kujdesur për pacientë të COVID-19 në spitalin e sëmundjeve infektive në Tiranë. Foto: LSA

Edi Rama kërkon ndihmën e popullit ndërsa viktimat ditore arrijnë në 19

Kryeministri Edi Rama i kërkoi shqiptarëve të shpëtojnë veten nga COVID-19 duke dhënë në këtë mënyrë një “kontribut të paçmuar” në atë që ai i referohet si “luftë” ndaj pandemisë së koronavirusit si dhe si një ndihmë për të shmangur kolapsin e spitaleve dhe mbylljen e dytë kombëtare të vendit. Ndryshe nga Rama, kryetari i opozitës Lulzim Basha përsëriti theksin te mangësitë e punës së qeverisë në menaxhimin e pandemisë, në veçanti, numrit të ulët të testimeve të kryera, të cilat, nëse do të ishin më të larta, do të mundësonin identifikim të shpejtë dhe izolim të personave bartës të virusit.

Komentet mbi pandeminë erdhën ndërsa Shqipëria përjetoi ditën më të trishtë deri më sot, me 19 të vdekur të regjistruar në vetëm 24 orë. Autoritetet shëndetësore njoftuan edhe 744 raste të reja.

Rama komentoi mbi virusin kalimthi gjatë një konference për shtyp të zhvilluar online me temë rindërtimin e shkollave të shkatërruara nga tërmeti i vitit të kaluar ndërsa përsëriti argumentin se vendimet në lidhje me pandeminë merren nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, pra në mënyrë të pavarur nga ai.

“Të jemi sa më të vetëdijshëm që kemi në dorë, të gjithë, secili në pozitionin e vet, por, patjetër, sëbashku si komunitet, si bashkësi që jetojmë në këtë vend, të shmangim qoftë kalimin e spitaleve në një mbingarkesë që do ta bënte praktikisht tejet të vështirë trajtimin normal në vazhdimësi të të gjithë atyre që janë në nevojë dhe qoftë mbylljen e përgjithshme,” deklaroi Rama.

“Është absolutisht e domosdoshme që secili prej nesh, çdo qytetar dhe qytetare e këtij vendi, të vetëdijësohet se ka një rol për të luajtur në këto dy drejtime, padiskutim në rradhë të parë për të mbrojtus shëndetin e vet dhe të familjes së vet. Por duke bërë këtë jep një kontribut të jashtëzakonshëm, sado i çuditshëm të duket por është kontribut i jashtëzakonshëm i çdo individi për të ndihmuar luftën e përditshme dhe të përnatshme që bëhet në vijën e zjarrit,” vijoi më tej Rama.

Ndryshe nga Rama, kryetari i opozitës Lulzim Basha përsëriti kërkesën që Shqipëria të rrisë urgjentisht numrin e testimeve.

“Sa njerëz duhet të vdesin përpara se të ndryshojmë urgjentisht këtë kurs katastrofik të menaxhimit?” pyeti Basha në një takim të zhvilluar me një numër mjekësh.

Shqipëria ka një numër shumë të kufizuar testimesh, rreth 2,500 në ditë, nga të cilët, një pjesë kryhen nga laboratorë private jo për synime të hetimit epidemiologjik. Ministria e Shëndetësisë nuk i raporton të ndara testimet e kryera nga sektori publik dhe ato të kryera nga sektori privat.

Qeveria thotë se testimet e kryera janë mjaftueshëm ndërsa në një rast, kryeministri Edi Rama sugjeroi se kërkesat për më shumë testime nxiten nga interesat e industrisë farmaceutike, një teori komploti për të cilën nuk dha prova.

Me të dhënat e ditës së martë, Shqipëria numëron tashmë 735 viktima nga shifrat zyrtare të publikuara si dhe gati 17 mijë persona aktualisht të sëmurë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar vatra të mëdha të përhapjes në Fier, Lushnjë dhe Kavajë./www.reporter.al