Edi Rama kërkon 10 mijë euro dëmshpërblim nga Ramush Haradinaj

Në tetor të vitit të kaluar, në dy emisione të ndryshme televizive, Ramush Haradinaj i kishte dhënë disa deklarata të forta për Edi Ramën.

Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të martën ka deponuar një padi për shpifje në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj.

Tema për të cilën filluan polemikat e Edi Ramës e Ramush Haradinajt ishte “shkëmbimi i territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë”.

KALLXO.com ka siguruar padinë prej 27 faqesh nëpërmjet të cilës Edi Rama kërkon dëmshpërblim prej 10 mijë eurove nga Ramush Haradinaj. Përveç këtyre, në padi thuhet se Haradinaj duhet të paguaj edhe shpenzimet e avokatëve e gjithashtu mos të përsëritë deklarimet, sipas Edi Ramës, të rreme.

“I padituri (Ramush Haradinaj), pa asnjë bazë të vetme fakti e në mënyrë të përsëritur, la lancuar akuza në adresë të Paditësit (Edi Rama) për mbështetjen e idesë së ‘ndarjes së Kosovës’, ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjimit të kufirit’”, thuhet në mes tjerash në padi.

Padia citon kryeministrin kosovar në detyrë, i cili kishte thënë se Edi Rama është angazhuar në mbështetje të idesë për korrigjimin e kufijve të Kosovës për interesa financiare. Madje, gjithnjë sipas padisë, Haradinaj kishte përmendur edhe një shifër të madhe parash prej 10 miliardë eurosh, të cilat do të ndaheshin në mes kryeministrit shqiptar dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaci.

Padia ka zbardhur deklarimet e kreut të AAK-së në dy emisione televizive, njëri në Shqipëri e tjetri në Kosovë, si dëshmi për Gjykatën.

“Kërkimi i 10 mijë eurove jo vetëm që përmbushë parimin e barazvlefshërisë së dëmshpërblimit porse e në fakt, përbën vetëm një kërkim simbolik karahasuar me dëmin e pallogaritshëm të shkaktuar paditësit i cili do të duhet të përballet pa asnjë limit kohor e në vazhdimësi me cenim të rënd :, thuhet në padinë e Edi Ramas ndaj Ramush Haradinajt.

“Dëmi i shkaktuar nga deklarata e të Paditurit tejkalon dimensionin e Paditësit si person duke u transferuar në perceptim publik për vlerën e tij si kryeministër i vendit”, thuhet më tej në padi.

Krejt deklarimet e Ramush Haradinajt, Edi Rama i ka cilësuar si të rrezikshme.

“Dëmton e cenon interesa madhorë kombëtarë si siguria e rendit publik e ai kushtetues, nxit psikoza paniku dhe urrejtje në shoqëri e ndërmjet popujve, precedent i rrezikshëm duke inkurajuar mosbesim e mosbindje publike e deri në destabilizim të rendit kushtetues në dy vendet tona”, theksohet në padinë e Edi Ramaës.

Tutje, në padi thuhet se, përveç dëmshpërblimit me para prej 10 mijë eurove, Haradinaj duhet t’i mbuloj edhe shpenzimet e avokatëve gjatë këtij procesi gjyqësor.

Gjithashtu, Rama ka kërkuar nga Haradinaj që të ndal publikimin e deklarimeve dhe mos përsëritjen e tyre, madje edhe përgënjeshtrimin e fjalëve që i ka thënë vetë ai.

Ndaj padisë së Edi Ramës ka reaguar kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Ai, nëpërmjet Facebook-ut, ka paralajmëruar përgjigje në padi ndaj Ramës, në afat e parapara ligjore.

Ndërsa, e ka vlerësuar edhe si të pabazë pretendimin e Edi Ramës.

“Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, thuhet në reagimin e Haradinajt.

Ramush Haradinaj reagon ndaj padisë së Edi Ramës kundër tij

 

www.kallxo.com