Albin Kurti dhe Edi Rama, Foto: Qeveria e Kosovës

Edi Rama flet për situatën në veri: Nuk i ndihmojnë këto veprime Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pajtuar me “shqetësimin” e ambasadorit amerikan për situatën në veri të Kosovës.

Rama ka thënë se bashkohet me miqtë ndërkombëtar për të mos vazhduar tutje në këtë “shteg jo vetëm të rrezikshëm por edhe krejt të panevojshëm”

Për veprimet e autoriteteve kosovare, kryeministri shqiptar tha se kjo nuk i ndihmon shtetit kosovar në procesin për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar! Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”- ka shkruar kryeministri Rama në rrjetin social “Twitter’.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka thënë se SHBA dënon veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”- ka shkruar Hovenier në Twitter.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri