Edi Rama flet për situatën në veri: E mbështes 100% Qeverinë e Kosovës

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka thënë se mbështet 100% Qeverinë dhe autoritetet e Kosovës, për zbatimin e vendimit për reciprocitetin me dokumente me Serbinë.

Në një konferencë për media bashkë me kryeministrin e Spanjës, kryeministri Rama përgëzoi kryeministrin Albin Kurti dhe autoritetet e Kosovës për vetëpërmbajtjen dhe dëgjimin e aleatëve, për shtyrjen e zbatimit të vendimit.

“Ngjarja e djeshme është pasqyrë e vështirësisë së thellë që ka në këtë marrëdhënie. Ushtrimi i sovranitetit në gjithë territorin e shtetit të Kosovës, bazuar në marrëveshjen e dakorduar në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, lidhur me temën që është bërë shkak i këtij acarimi, nuk është një e drejtë vetëm, por është një detyrë e institucioneve të Kosovës”, tha Edi Rama.

“Në këtë pikë, unë e mbështes 100% Qeverinë e Kosovës dhe i mbështes 100% autoritetet në Kosovë që kërkojnë që marrëveshja të zbatohet. E përgëzoj kryeministrin e Kosovës, i përgëzoj autoritetet e Kosovës për sensin e vetëpërmbajtjes dhe për dëgjimin e aleatëve që sugjeruan një shtyrje 30 ditore”, tha Rama.

Por në këtë çështje, Rama përmendi edhe njëherë Ballkanin e Hapur, duke thënë se në këto situata tregojnë, sipas tij, që Ballkani i Hapur është i nevojshëm.

Kryeministri shqiptar tha se në këto situata janë dy rrugë, ose rruga e paqes dhe e dialogut, ose e konfliktit të trashëguar.

“Këto situata nuk tregojnë që qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e afrimit, e dialogut, e ndërtimit të paqes. Këto situata tregojnë që ne kemi nevojë për këtë. Këto situata tregojnë që kur të vjen puna që gjërat shkojnë në thikë, ka dy rrugë. Njëra është e kthimit prapa dhe e luftës, nga e cila nuk fiton askush, sepse nuk ka asgjë për të ndarë. Kosova është vend i pavarur, sovran dhe demokratik dhe rruga tjetër është rruga e paqes. Njëra është të ndalojmë trashëgiminë brez pas brezi të konfliktit, rruga tjetër është të vazhdojmë konfliktin. Dhe unë jam me të parën. Na duhet të punojmë edhe më shumë për paqen”, tha kryeministri Rama.