Edi Rama dhe Albin Kurti

Edi Rama dhe Albin Kurti flasin për heqjen e kufirit Kosovë - Shqipëri

Sot, në Tiranë, Albin Kurti ka zhvilluar vizitën e parë zyrtare, që prej kur e mori mandatin e kryeministrit të Kosovës.

Pas takimit që zgjati më shumë se një orë, Edi Rama ka thënë se është diskutuar edhe tema për heqjen e kufirit në mes dy shteteve.

“Bashkëpunimi i jonë me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve, për mua, nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të njerëzve dhe mallrave, ne nuk e kemi kryer detyrën ndaj njerëzve tanë”, ka thënë Edi Rama.

“Është themelore që të jemi të gatshëm të angazhuar në çdo hap që të heqim kufirin në mes dy shteteve, për ta bërë faktikisht, hapësirën e përbashkët, lëvizje, ndërveprimi”, tha tutje kryeministri shqiptar.

“Ne jemi 100% në mbështetje të Kosovës në të gjithë betejën për të quar përpara procesion e njohës të Kosovës nga vendet që nuk e kanë njohur dhe në të gjitha instancat”, tha Rama para gazetarëve.

Për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë – Shqipëri ka folur edhe shefi i qeverisë kosovare.

“Unë dua që në këtë dekadën e tretë të shekullit 21, të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri, çfarë nuk ka pasur asnjëherë ndërmjet dy vendeve tona. Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra tjetrës”, tha Albin Kurti.

“Dua ta falënderoj Republikën e Shqipërisë dhe popullin shqiptar për ndihmën, përkrahjen e pakursyer e të parezervë për Kosovën. Kosova nuk do t’ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, por poashtu as në paqe pa Shqipërinë, kurrë nuk e harrojmë këtë gjë. Duam që në shekullin 21 të ecim bashkë, shpejtë, fuqishëm”, theksoi ai.

“Besoj se do ta avancojmë bashkëpunimin tonë ndërshtetërorë në fusha dhe përmasa çfarë i ka dëshiruar gjithmonë kombi ynë por ende nuk i ka parë, e këtë do ta ketë rastin pikërisht me ne”, ka thënë në fund ai.