Edhe Zupçi i Zubin Potokut ende i barrikaduar
Barrikadat që janë vendosur në fshatin Zupç të Zubin Potokut nuk janë larguar ende.
Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar në veri të vendit ku është parë që nuk ka ndonjë intervenim për largimin të barrikadave, madje njëra nga to edhe është djegur.
Bëhet fjalë për dy kamionët që janë të vendosur tek ura përball vendi i quajtur “Kërrshi i Dudës” në rrugën që lidhë Zveçanin me Leposaviq.
Ura në të cilin gjenden kamionët të dërgon për në qytetin e Mitrovicës Veriore.
Ky qytet është bllokuar edhe nga një barrikada tjetër, e cila është vendosur përball shkollës teknike në Lagjen e Boshnjakëve.
Largimi i barrikadave është premtuar që të fillojë sot në mëngjes, por diçka e tillë nuk është parë ende.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova që e mbajti mbrëmë në Rashkë, tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.
“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat” – ishte shprehur Vuçiq pak para se të bëhej mesnatë.
Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, zhvilloi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.
Ai tha paraprakisht, se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.
Në takim, presidenti serb tha se Dejan Pantiqi ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.
Arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës po mbajnë që nga 10 dhjetori.
Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.