Edhe Zubin Potoku i mbushur me flamuj të Serbisë, policët zëvendësues po vazhdojnë punën në stacion policor

Në zonën e Zubin Potokut ngjashëm sikurse në të gjitha komunat me shumicë serbe në veri tëvendit, flamujt serb janë vendosur me shumicë nëpër shtëpi private e institucione paralele.

KALLXO.com ju sjell pamje nga komuna e Zubin Potokut të ditës së sotme.

Gjithashtu në po këtë komunë gjendet edhe stacioni policor i cili tash e sa kohë funksionon në një shtëpi private dhe me kushte jo të mira.

Përveç flamujve të vendosur në çdo cep të kësaj komune, janë parë edhe  mbishkrime të shumta të cilat janë vendosur muaj më parë e në të cilat thuhet “Këtu jemi. Po presim”.

KALLXO.com ka qenë edhe në afërsi të Stacionit Policor në Zubin Potok. Aty zyrtarët policorë që kanë zëvendësuar policët serb që dhanë dorëheqje janë nga rajoni i  Skenderajt.

zubin potok stacioni
Stacioni Policor Zubin Potok, Foto: KALLXO.com

Pra deri më tani tri rajone, ai i Vushtrrisë, Mitrovicës së Jugut e Skenderajt kanë bërë zëvendësimin e zyrtarëve policor që kanë ofruar dorëheqjet e tyre nga pozitat që kanë pasur pas suspendimit të drejtorit rajonal të policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Gjithashtu herë pas herë siç mëson KALLXO.com në këtë stacion mbikëqyrin situatën edhe ekipe të KFOR-it e EULEX-it.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi për një situatë të qetë dhe pa incidente edhe në pikën kufitare në Bërnjak.

Atje janë vendosur Njësiti Special Kufitar, ndërsa puna në pikë kufitare ka vazhduar pa probleme.

Veturat që hyjnë e dalin nga Kosova për në Serbi i nënshtrohen mbulimit të simboleve shtetërore ndërsa siç mëson KALLXO.com edhe shqiptohen fletë-qortime për veturat me tabela ilegale që kanë bazë në veri të Kosovës.

Ata përveç shqiptimit të fletë-qortimeve udhëzohen që t’i regjistrojnë veturat e tyre me tabela RKS.

Situata në veri të Kosovës nisi të ndryshojë kur IPK-ja kërkoi suspendimin e drejtorit rajonal të policisë Nenad Gjuriq pas  refuzimit dhe rezistencës për të lëshuar fletëqortime për pronarët e veturave me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Të shtunën fillimisht gjithë komandantët e stacioneve policore dhanë dorëheqje e ndërkohë ngjashëm vepruan edhe zyrtarë tjerë policorë.