Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Edhe vjet nuk dolën në punë, 54 punonjës nga ‘Mbrojta Civile’ Ministria vazhdon t’i paguaj

Janë 54 punonjës në tashmë Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, të cilët ende paguhen pa dalë fare në punë, ndonëse për dy të tjerë, u gjenden dëshmitë se e respektuan orarin e punës. Si rezultat i marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në dikasterin qeveritar janë punësuar gjithsej 56 punonjës, ndërsa vetëm vitin e kaluar u paguan rreth 265 mijë euro për pagat e tyre.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), thuhet se 54 punonjës u paguan nga Ministria edhe pse nuk dolën në punë.

“Ne kemi vërejtur se nga 56 punonjës të tillë për 54 prej tyre, Ministria nuk posedon dëshmi për ta konfirmuar prezencën e tyre në vendin e punës, apo raporte për punën e kryer gjatë vitit 2020, ndërsa vetëm për dy (2) zyrtarë kanë arritur të ofrojnë dëshmi për të konfirmuar prezencën në punë, përderisa Ministria kishte bërë pagesat e rregullta të pagave të tyre për tërë vitin 2020. Vlera financiare për këto pagesa ishte 264,995€”, thotë raporti.

Auditorit tregon se kjo gjendje ishte e njëjtë edhe në vitin e kaluar dhe e njëjta ishte raportuar në raportin e 2019-ës.

Më tej bëhet e ditur se kjo kishte ndodh për shkak të mungesës së kontrollove menaxheriale për të siguruar se të gjithë punonjësit janë në vendin e punës gjatë orarit të rregullt. Për më tepër, Ministria nuk kishte ndërmarrë ende hapa konkret për krijimin e kushteve të punës për këta punonjës.

Auditori gjetjen e tij e bazon në Ligjin 03/L-149 për Shërbyesit Civilë në Republikën e Kosovës dhe rregulloren e punës përmes së cilës nënpunësit janë të obliguar të jenë në vendin e punës gjatë orarit të punës.

Ministrit iu rekomandua t’i krijoj kushtet e punës të gjithë punonjësve si dhe të monitoroj vijueshmërinë në punë dhe në rast të mosrespektimit të orarit të punës, të merren masa.

Me vendimin e datës 22 korrik 2015, Qeveria e Kosovës kishte aprovuar konkluzionet e dakorduara të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të ashtuquajturën “Mbrojtje Civile”, në Ministrinë e Ekonomisë ishin caktuar të punojnë 18 punonjës dhe 38 të tjerë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH).

Përmes letër konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ministri Liburn Aliu, konfirmoj se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2020 të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.