Edhe Vetëvendosje ankohet në Supreme për mos numërimin e 1806 votave të Diasporës

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë për 1806 votat e ardhura nga Diaspora.

Kjo ankesë e LVV-së vjen një ditë pasi Paneli për Ankesa dhe Parashtresa hodhi poshtë ankesën e kësaj partie dhe organizatës jo- qeveritare “Germin” për mos numërimin e një pjese të votave të ardhura nga Diaspora.

“Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! ushtroi sërish ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me pakot me fletëvotime nga bashkatdhetarët tanë që i dërguan me kohë fletëvotimet e tyre. Gjyqtarët Gyltene Sylejmani, Nenad Llaziç, Afjete Sada-Gllogjani, Kymete Kicaj, Zyhdi Haziri, Rrustem Thaçi, Ferki Xhaferi, Faton Ademi dhe Adnan Konushevci, të PZAP-së shpërfillën Aktgjykimin e Gjykatës Supreme duke e shpalluar me 3 nëntor ankesën tonë të pabazuar, dhe ia mohuan sërish të drejtën votuesve nga jashtë Kosovës që t`u numërohet vota”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

“Pas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, të gjithë prisnin që të finalizohej çështja e fletëvotimeve nga mërgata dhe të zbatohej plotësisht ky aktgjykim. Por siç dihet Sekretariati i KQZ-së nuk i mori parasysh të gjitha dërgesat e bashkëatdhetarëve, plot 1806 pako me fletëvotime, ndaj ishte e nevojshme të ushtrohej sërish ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nga ana jonë më 1 nëntor 2019”, thuhet tutje në njoftimin e partisë e cila doili e pra nga rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Partia e Albin Kurtit ka paralajmëruar se këto probleme në të ardhmen nuk do të përsëriten.

“Në pritje të vendimit nga Gjykata Supreme, i njoftojmë bashkatdhetarët tanë votues në këto zgjedhje se të tilla praktika e nëpërkëmbje të të drejtave të tyre do të bëjmë çmos që mos të përsëriten më në të ardhmen”, thuhet në fund të njfotimit të Lëvizjës Vetëvendosje.

Sot gjatë ditës, ankesë në adresë të Gjykatës Supreme të Kosovës ka dorëzuar edhe organizata jo- qeveritare “Germin”.

Votat e Diasporës, ‘GERMIN’ ankohet në Supreme

 

www.kallxo.com