'Edhe unë nuk e kisha miratu shëtitjen e gruas nëpër iftare të hamamit'- Vërejtje me shkrim për gjyqtarin e Ferizajt që la koment në postimin e KALLXO.com

“Ku me gjet kësi burra në Kosovë! Edhe unë nuk e kisha miratu shëtitjen e gruas nëpër iftare të hamamit…” – ishte një pjesë e fjalisë që gjyqtari, Bahri Salihu e kishte lënë në një postim të KALLXO.com në Facebook.

Në këtë lajm tregohet se si një gura nuk ishte lejuar të futet në shtëpi pasi kishte dalë me kolegët e saj të punës për iftar.

Po ky shënim ishte shkak që Salihut, Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka shqiptuar vërejte me shkrim më 04.07.2024.

Sipas vendimit të KGJK-së, është arritur marrëveshja vullnetare për pranimin e përgjegjësie disiplinore me gjyqtarin Bahri Salihu.

“Aprovohet marrëveshja vullnetare për pranimin e fajësisë. Bahri Salihu është përgjegjës për shkelje disiplinore… Dhe i shqiptohet sanksion disiplinor vërejtje me shkrim”- thuhet në vendimin e KGJK-së.

KALLXO.com ka kontaktuar gjyqtarin në fjalë për të marrë një përgjigje lidhur me vërejtjen me shkrim të shqiptuar nga KGJK. Sailu tha se nuk do të ankohet në Gjykatën Supreme për vendimin e KGJK-së.

“Po jam në dijeni, jo s`kam kurrëfarë komenti, Jo, jo, jo absolut (lidhur me apelimin)”- tha gjyqtari për KALLXO.com.

KGJK në vendimin e saj ka konstatuar se gjyqtari me veprimet e tij ka kryer shkelje disiplinore e cila parashihet kur gjyqtari përfshihet në sjellje të palejuara, qoftë kur është duke kryer detyrën apo privatisht.

Po ashtu sipas KGJK-së, Bahri Salihu ka kryer shkelje të kodit të etikës profesionale në tri pika të këtij kodi, me komentin që ka lënë në lajmin e KALLXO.com.

Rasti i gjyqtarit të Gjykatës së Ferizajt, Bahri Salihu, i cili kishte komentuar në një lajm të KALLXO.com, në lidhje me një burrë që nuk e kishte lënë gruan e tij të futet në shtëpi pasi kishte dalë për iftar me kolegët e punës, është referuar për trajtim në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Gjyqtari i përfshirë në këtë rast, Bahri Salihu nuk kishte pranuar të japë koment lidhur me pyetjen nëse kishte qenë profili i tij që kishte lënë komentin në lajmin e KALLXO.com.

KALLXO.com ishte interesuar të marrë një prononcim nga Salihu lidhur me kërkesën e kryetarit të Gjykatës së Ferizajt për inicim të procedurës disiplinore ndaj të njëjtit.

“Po, po e ka referu rastin, e kanë filluar ata procedurën edhe u kry kjo punë, s’kam nevojë unë ty me të dhënë kurrgjë më shumë”- kishte thënë Salihu për KALLXO.com më 07.06.2024.

Sipas Ligjit për inicimin e procedurave disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë, autoriteti kompetent, që në këtë rast është kryetari i Gjykatës së Ferizajt, nëse vlerëson së janë përmbushur elementet për inicimin e procedurës disiplinore i dërgon kërkesë me shkrim Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Një lajm në KALLXO.com i publikuar më 31.03.2024 shpërfaqte një veprim të një burri, i cili nuk e kishte lënë bashkëshorten e tij të futej në shtëpi pasi ajo kishte dalë për iftar me kolegët e saj.

Detaje më shumë lidhur me lajmin mund t’i gjeni duke klikuar KËTU.

Në këtë lajm të publikuar në Facebook të KALLXO.com, një koment e kishte bërë edhe gjyqtari për kundërvajtje i Gjykatës së Ferizajt, Bahri Salihu.

Salihu në komentin që kishte bërë në Facebook thotë që nuk miraton shëtitjet e grave në iftare, duke shtuar që ‘gruaja nuk duhet ta ngushtojë burrin pasi që duhet t’i ketë mendët’.

Salihu në biografinë e tij, e cila është publike në faqen e Gjykatës së Ferizajt, del të ketë qenë prokuror në Ferizaj nga viti 2012 deri në vitin 2013.