Edhe sot vazhdon vaksinimi i 500 mjekëve të Kosovës

Vaksinimi i 500 mjekëve të Kosovës në Kukës po vazhdon edhe sot.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, në një postim në Facebook.

“500 mjekë dhe infermierë të Kosovës po vaksinohen në  Kukës. Edhe sot në ditën e dytë, do të vijojë vaksinimi me stafet mjekësore të vijës së parë. Jemi një”, ka shkruar ajo më tej.

Gjatë ditës së djeshme në Kukës ka nisur marrja e vaksinës kundër COVID-19 nga mjekët dhe infermierët nga Kosova.

Siç ishte bërë e ditur ditë më parë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, numri i mjekëve dhe infermierëve të vaksinuar do të jetë rreth 500.

Ndërsa, Kosova ende nuk i ka pranuar vaksinat për COVID-19.

Kurse, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot përmes një letre ka falënderuar Shqipërinë për vaksinimin e stafit shëndetësor.