Foto: Qëndron Kastrati/Facebook

Edhe pse nuk kishin 0.5 hektar në pronësi siç kërkohej, dy qytetarë u subvencionuan për ndërtim të serrave nga Komuna e Suharekës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Suharekës u kishte dhënë dy qytetarëve subvencion për ndërtimin e serrave pa plotësuar kriteret e thirrjes. Sipas ZKA-së, njëri nga kriteret e thirrjes për subvencionim të ndërtimit të serrave që ishte publikuar në shkurt të vitit 2023, ishte që aplikuesit të kishin minimum të fondit të tokës prej 0.50 hektar në pronësi të tyre.

Por në dy raste, aplikuesit nuk kishin plotësuar këtë kërkesë, pra nuk posedonin 0.50 hektar.

ZKA ka theksuar se kjo kishte ndodhur si rezultat i mospërgjegjshmërisë së komisionit të vlerësimit, i cili kishte vendosur për aprovimin e kërkesës jo në përputhje me kriteret e thirrjes.

“Subvencionimi jo në përputhje me thirrjen publike, ndikon negativisht tek aplikuesit tjerë mbi transparencën e procesit të ndarjes së subvencioneve”- thuhet në raportin e ZKA-së.

Të parit të Suharekës i është rekomanduar që të përmirësojë procesin e vlerësimit për dhënien e subvencioneve, duke u siguruar që vetëm aplikuesit që plotësojnë kriteret të përfitojnë nga subvencionimi.

Komuna e Suharekës është pajtuar me këtë gjetje.

Komuna e Suharekës ka marrë opinion të pamodifikuar. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Suharekës për vitin 2023 ka rezultuar me  10 rekomandime, prej tyre tri janë rekomandime të reja, pesë rekomandime të përsëritura, si dhe dy pjesërisht të përsëritura. Zbatueshmëria e rekomandimeve të vitit 2023 do të përfshihen në raportin e vitit 2024, i cili publikohet në qershor të vitit 2025.

Në raportin e vitit 2022, Komuna e Suharekës kishte marrë 17 rekomandime, prej të cilave, 9 i ka adresuar dhe 8 nuk i ka adresuar deri në përfundim të procesit të auditimit për vitin 2023 nga ZKA.

Raportin e plotë të ZKA-së me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Komunën e Suharekës mund ta gjeni KËTU.