Foto: RTV 21

Edhe Polonia nis vaksinimin e adoleshentëve

Polonia nisi të hënën vaksinimin e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç kundër koronavirusit.

Nga sot, prindërit mund t’i regjistrojnë fëmijët e kësaj moshe të marrin vaksinën Pfizer/BioNTech.

Vaksinat fillimisht do të jenë në dispozicion në qendrat e vaksinimit, ndërsa nga shtatori edhe në shkolla.

Në Poloni, deri më tash, 46% e të rriturve kanë marrë një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, ndërsa 26% i kanë marrë të dyja dozat.

Qeveria planifikon të vaksinojë këdo që dëshiron deri në fund të gushtit, tha të hënën zëdhënësi i saj, Piotr Muller.

Javën e kaluar, Rumania dhe Italia u bënë vendet e para që nisën vaksinimin e adoleshentëve kundër koronavirusit.

Drita jeshile për përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech te fëmijët 12 vjeç e lart u dha nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe u miratua nga Komisioni Evropian.

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja e kanë miratuar më herët përdorimin e kësaj vaksine te fëmijët 12 vjeç e lart.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, që ndjek të dhënat për pandeminë, koronavirusi ka prekur mbi 173 milionë njerëz në të gjithë botën. Mbi 3.7 milionë prej tyre kanë humbur jetën.

Numri i vaksinave të dhëna deri më tash ka kaluar 2.1 miliardë./REL