Edhe PDK-ja e Kadri Veselit e akuzon Vetëvendosjen për kapjen e bordeve

Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka denoncuar emërimet e fundit politike të qeverisë Kurti nëpër bordet e ndërmarrjeve publike.

Sipas PDK-së, këto emërime janë dëshmi e qartë e përpjekjes së kryeministrit Kurti për të kapur shtetin.

PDK tutje në komunikatë ka thënë se emërimet e fundit rrënojnë përpjekjet për të ndërtuar borde me sa më shumë profesionistë e sa më pak militant partiakë.

“Shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike, në mënyrë arbitrare, pa ndjekur asnjë procedurë paraprake ligjore, janë provë e dyfytyrësisë së kryeministrit në ikje që në pushtet ka ardhur me premtimin e forcimit të sundimit të ligjit. Partia Demokratike e Kosovës deklaron se këto veprime e çojnë vendin prapa duke rrënuar përpjekjet e deritanishme për të ndërtuar borde sa më profesionale që shmangin punësimin e militantëve partiakë. Ne i bashkohemi zërit të kritikës qytetare dhe dënojmë emërimet e anëtarëve politikë të Vetëvendosjes prej të cilëve janë ish kandidatë për deputetë dhe anëtarë të kësaj partie”, thuhet në konferencë.

Më tej në gjatë konferencës, PDK ka kujtuar nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit nga kryetari i kësaj partie me Ambasadën britanike.

“Kujtojmë këtu se kryetari i partisë sonë z. Veseli, nëpërmjet një memorandumi të nënshkruar me Ambasadën britanike në Kosovë, ka përfshirë një kompani profesionale angleze për të ndihmuar në rekrutime sa më profesionale e meritokratike në bordet e ndërmarrjeve publike. Së fundmi, theksojmë se ajo që i bën edhe më të rënda këto vendime, është fakti që ato po vijnë nga një qeveri e shkarkuar me mbi 2/3 e votave të popullit të shprehura nëpërmjet të deleguarve të tyre në parlament. Prandaj i bëjmë thirrje qeverisë së shkarkuar të z. Kurti që të ndali shkarkimet e paligjshme, punësimet e klienteliste e nepotike si dhe çdo vendim tjetër të rëndësishëm sepse është një qeveri e shkarkuar në detyrë”, ka thënë në konferencë anëtari i kryesisë së PDK-së, Shaqir Totaj.

Por, Qeveria në të cilën bënte pjesë Partia Demokratike e Kosovës nuk i ka respektuar rekomandimet e dhëna nga BDO-ja, kompania angleze e angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutim.

Bordi i Telekomit të Kosovës ishte zgjedhur nga qeveria Haradinaj, në të cilën ka bërë pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës. Në mesin e bordit të Telekomit kishte persona që për ekspertët britanikë nuk ishin të emërueshem.

Në të njëjtën kohë ishte zgjedhur edhe Bordi i KEK-ut, në të cilën kishte drejtor të bordit që nuk ishin të pavarur sipas interpretimit të Ligjit për Ndërmarrjet Publike. I njëjti anëtar ishte prezantuar si aderim në Partinë Demokratike të Kosovës nga Kadri Veseli.

Nga Qeveria e PAN-it ishte bërë një emërim i kundërligjshëm në Bordin e kompanisë për menaxhimin e deponive.

Gjatë kohës sa koalicioni PAN kishte shumicën në Kuvend është zgjedhur edhe Naser Shala, i njohur me nofkën “Ftyra”. Zgjedhja e tij kishte ngjallur reagime nga Ambasadat, duket përfshirë ata Britanike dhe Amerikane.

Ishte politizuar edhe bordi i Ibër-Lepencit që ishte zgjedhur pas një konkursi jo-transparent nga Qeveria Haradinaj.

Edhe qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa, në të cilën bënte pjesë edhe PDK-ja kishte emëruar drejtorë të bordeve që nuk ishin të pavarurë. Agjencia Kundër Korrupsionit i kishte kërkuar shkarkimin e tyre, por Qeveria Mustafa nuk i kishte përfillë kërkesat e tyre.