Edhe PDK-ja e dërgon Ligjin për Zyrtarët Publikë në Kushtetuese

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës më 07.11.2024 e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili u miratua javën e kaluar në Kuvend.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ky veprim synon të parandalojë politizimin e administratës publike dhe të mbrojë meritokracinë dhe pavarësinë e saj.

“Sikurse, këtë të fundit, kur dy vite më parë e dërguam në gjykatë, ashtu edhe tani ndryshim-plotësimin e tij, e kemi dërguar për të pamundësuar politizimin e partizimin e administratës publike dhe për të parandaluar degradimin e sistemit të meritokracisë, karrierës dhe pavarësisë së administratës, detyrë e të cilës është t`i shërbej me zell e profesionalizëm të gjithë qytetarëve pa dallim, e mos të kthehet si instrument politik i pushtetit”- ka shkruar ai.

Tahiri tutje ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i verës së vitit 2023, i konfirmoi në tërësi pretendimet e tyre , ndërsa Kuvendi, ishte i obliguar që brenda gjashtë muajsh t`i adresoj të gjitha shkeljet.

“Sot, rreth një vit e gjysmë pas, jo vetëm që dështuan ta përgatisin më kohë ligjin e ri, por akoma më keq, i përseritën një pjesë të shkeljeve në të njëjtën mënyrë. Prandaj, kontestimi i këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese nuk është rastësi dhe paraqet, njëkohësisht, edhe një dëshmi të angazhimit tonë konsistent për mbrojtjen e vlerave dhe rendit kushtetues”- ka thënë ai.

Gjatë ditës Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e dorëzon Ligjin për Zyrtarët Publikë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ndryshe prej vitit 2022, kësaj radhe, deputetët e kanë dorëzuar këtë ligj së bashku me plotësim ndryshimet e fundit që janë bërë në të.

LDK dorëzon sërish Ligjin për Zyrtarët Publikë në Gjykatën Kushtetuese

Më 23 janar 2024, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte shpallur të pavlefshme disa nene të këtij ligji.

Me aktgjykimin e Kushtetueses, Kuvendi obligohej që brenda 6 muajve t’i bënte ndryshimet e nevojshme në këtë ligj.

Tek më 30.10.2024, deputetët e pushtetit miratuan ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.

Bashkimi Europian kishte shprehur keqardhjen për “dështimin” e Kosovës për të inkorporuar rekomandimet në tre projektligje vendimtare, ndër ta edhe për atë për Zyrtarët Publikë.

Zyra e BE-së në Kosovë, në një komunikatë për media më 26.06.2024, i ka bërë thirrje Kuvendit që të rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përmbushin standardet perëndimore