Edhe pas zgjedhjeve, AAK e vendosur për kandidaturën e Haradinajt për president
Edhe pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk ka ndërruar qëndrim sa i përket kandidaturës së Ramush Haradinajt për president të vendit.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), AAK është renditur e katërta, me 7,43 për qind të votave të elektoratit.
I pyetur nga KALLXO.com nëse pas rezultatit të zgjedhjeve AAK do të mund të përkrahë kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente, kandidatorë kjo e mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, anëtari i kryesisë së AAK-së, Bekë Berisha ka thënë se nuk e kanë ndërruar qëndrimin.
“Jo, ne s’i ndërrojmë qëndrimet sahat e dakik [orë e minutë]. Ne e kemi qëndrimin dhe kandidatin tonë”, tha ish-deputeti Berisha për KALLXO.com.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, kjo parti nuk ka pasur kandidat për kryeministër, por për president, pozitë të cilën po e synon Ramush Haradinaj, i cili edhe e drejton AAK-në.
Pozitës së kreut të shtetit, ia ka mësyrë edhe Vjosa Osmani e cila e ka shpallur kandidaturën kur kishte njoftuar se në zgjedhje me iniciativën e saj, do të garonte përmes listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.
Aspirata për president gjithashtu ka shfaqur edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.
Presidenca e Kosovës aktualisht është duke u udhëhequr nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes Vjosa Osmani, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit në nëntor të vitit të kaluar. Osmani në këtë pozitë, bazuar në Kushtetutën e Kosovës nuk mund të qëndrojë më gjatë se gjashtë muaj. Neni 90-të, pika 3 e aktit më të lartë jurdik të vendit thotë:
“Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj”.
Vjosa Osmani ka marrë zyrtarisht pozitën e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Kosovë, me 5 nëntor të vitit 2020.
Kjo do të thotë që Osmani mund të jetë U.D presidente më së voni deri në fillimprillin të këtij viti. Neni 86 i Kushtetutës në pikën 2, saktëson se “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.
Po ashtu Neni 86 që flet për zgjedhjen e Presidentit, në pikën 4, thotë se “zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”.
Ndërsa sipas pikës 5, “nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.
Pika 6 sanksionon ecjen tutje, nëse “në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.
Për t’u plotësuar juridikisht dhe formalisht mundësia e votimit për Presidentin në raundet 1 dhe 2, në sallën e Kuvendit është e domosdoshme që të ketë prani të së paku 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Republikës. Ndërsa, në rast se kandidatët pretendent nuk arrijnë të marrin shumicën e nevojshme për t’u zgjedhur presidenti dhe procesi kalohet në raundin e 3-të, prezent në sallë duhet të jenë së paku 61 deputet apo shumica e thjeshtë parlamentare, porse kandidati për president duhet të marrë po ashtu të paktën 61 vota.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton se presidenti i vendit nuk duhet të ushtrojë ndonjë funksion tjetër politik si dhe duhet të përfaqësojë unitetin e popullit.
Zgjedhjet e 14 shkurtit, sipas rezultateve preliminare, fituese e nxjerrin LVV-në e Albin Kurtit.
Ndërkaq aktualisht, partitë politike janë deklaruar se janë në pritje të përfundimit të numërimit të të gjitha votave nga ana e KQZ-së, si dhe shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe certifikimit të tyre, për t’u hapur rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit.