
Mbahet ceremonia e diplomimit të 446 kadetëve të Policisë së Kosovës Foto: Arjana Berisha/ KALLXO.com 18.04.2024
Edhe pas ritenderimit të tretë, dështon tenderi për ushqim dhe pije për organizimet e Policisë së Kosovës
Ndonëse u hap për herë të tretë, tenderi i cili e kishte të njëjtin qëllim, furnizimin me ushqim dhe pije për koktej për Policët e Kosovës, edhe kësaj here dështoi të finalizohet me Kontratë.
Sipas njoftimit, arsyeja e anulimit të këtij aktiviteti të prokurimit ishte për shkak se të tre tenderët që u pranuan u vlerësuan të papërgjegjshëm dhe kanë tejkaluar në mënyrë substanciale vlerën e parashikuar të Autoritetit Kontraktues – Policia e Kosovës.
Në njoftimin për Kontratë të publikuar më 19.12.2024, në platformën elektronike të prokurimit “E-prokurimi”, vlera e parashikuar e Kontratës ishte 52,099.24 euro. Me një kohëzgjatje të Kontratës – 36 muaj.
Procedura e hapur e prokurimit ishte lloji i procedurës së përdorur në këtë aktivitet, ndërsa si kriter për dhënie të Kontratës ishte përcaktuar: çmimi më i ulët.
Sipas paramasës janë planifikuar pije të ndryshme joalkoolike, ushqime, biskota dhe produkte të tjera me rastin e organizimit të koktejeve përgjatë tre vjetëve. Koktej për pensionimin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës, koktej për fundvit për Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm, koktej për Ceremonitë e Diplomimit të Gjeneratave të PK-së.
Kujtojmë, se fatin e njëjtë pothuajse e pati edhe tenderi për pizhame dhe çorape për policët e Kosovës. Për blerjen e tyre ishte parashikuar të nënshkruhej Kontratë, në vlerë deri në 333 mijë euro. Me këtë tender ishin paraparë të bliheshin gjithsej 2,400 palë pizhame dimri për meshkuj, 39 mijë palë çorape, si dhe 17,200 palë të tjera pizhame dimri për meshkuj dhe femra.
Blerja e pizhameve dhe çorapeve për policët e Kosovës dështoi edhe në ritenderim