Edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Nagavci beson se vendimi për shkollat në Kamenicë ishte i drejtë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka folur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila hodhi poshtë vendimin e MASHTI-it për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Përmes një postimi në Facebook, ministrja Nagavci ka thënë se e drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet asnjë fëmije dhe se ishte obligimi i saj kushtetues që të angazhohem për realizimin e të drejtës për arsim për të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh ku ata jetojnë.

“Vendimin për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar, për 441 nxënës të Komunës së Kamenicës e kam marrë pasi dështuan të gjitha përpjekjet që një hap i tillë të ndërmirret nga kryetari i Komunës. Si Qeveri kemi obligim të sigurojmë vijimin e shkollës për të gjithë nxënësit dhe nuk mund të lejojmë që ata të bëhen peng i mosmarrëveshjeve në mes të Kryetarit të Komunës dhe komunitetit ku jetojnë”, ka shkruar ajo.

Nagavci ka shkruar se me marrjen e vendimit për mësim të përshpejtuar, 441 fëmijë në Komunën e Kamenicës  janë rikthyer në bankat shkollore, pas më shumë se 7 muajve.

“Rreth 100 nxënës të fshatit Busavatë për dy vite nuk kanë vijuar mësimin. Kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve, është papërgjegjësi, është e patolerueshme dhe e pafalshme”, ka potencuar ajo.

Ajo ka thënë se do ta analizojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por sipas saj mbetet e sigurt se vendimi i MASHTI -it për mësimin alternativ në Kamenicë ishte i drejtë.

“Vendimin e GjK-së do ta analizoj me kujdes në ditët në vijim, por mbetem e bindur se mosveprimi nga ana ime në rastin e Kamenicës do te ishte shkelje e të drejtave të fëmijëve, shkelje e së drejtës kushtetuese për arsim, shkelje e konventave ndërkombëtare dhe në dëm të interesit të fëmijëve.  Një gjë të tillë nuk mund ta toleroj as si ministre, as si nënë e as si profesioniste”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Facebook.

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se MASHTI-i përmes vendimit ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore.

MASHTI humb rastin në Kushtetuese për vendimet e qeverisjes së Qëndron Kastratit në Kamenicë