Edhe partia në pushtet përkrah shkarkimin e Presidentit të Koresë Jugore
Lideri i partisë në pushtet në Korenë Jugore ka thënë të premten, më 06.12.2024, se presidenti Yoon Suk Yeol duhet të shkarkohet, pasi provoi të zbatonte “gjendjen e jashtëzakonshme” – përderisa, Qeveria i ka hedhur poshtë raportet se po përgatitej për një tjetër vendim për shpalljen e “gjendjes së jashtëzakonshme” – ka raportuar Reuters.
Yooni tronditi Korenë demokratike dhe Partinë e tij të Pushtetit Popullor kur të martën suspendoi kompetencat civile, në përpjekjen e tij kundër atyre që i quajti “forcat anti-shtetërore” e kundër kundërshtarëve politikë obstruksionistë, megjithëse nuk ofroi dëshmi për pretendimet e tij.
Ai e tërhoqi vendimin pas gjashtë orëve, pasi Parlamenti – përfshirë deputetë të partisë së tij – votuan kundër Dekretit Presidencial.
Partia kryesore opozitare, Partia Demokratike, ka mbajtur të premten takime për të diskutuar procedurat e shkarkimit të Presidentit dhe votimi pritet të bëhet të shtunën, në Parlamentin e vendit aziatik.
Duket se pas një takimi që pati Partia e Pushtetit Popullor në Parlament, lideri Han Dong-hoon ka thënë se Yooni kishte urdhëruar arrestimin e politikanëve të njohur me pretendimin se ishin pjesë e “forcave anti-shtet” – menjëherë pas shpalljes së “gjendjes së jashtëzakonshme” dhe kalimit të shumë kompetencave në duar të Ushtrisë.
Presidenca ka mohuar se kishte këso urdhërash. Ministri në detyrë i Mbrojtjës ka thënë se nuk janë të vërteta raportet, se mund të shpallet përsëri “gjendje e jashtëzakonshme”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com