Edhe Pacolli mirëpret vendimin e Qeverisë për heqjen e reciprocitetit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Behgjet Pacolli përmes një postimi në Facebook ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e masave të reciprocitetit karshi Serbisë.
Pacolli ka shkruar se AKR do ta mbështesë procesin e dialogut dhe se është e gatshme të luaj rol konstruktiv në procesin e dialogut.
“Kosova duhet të punojë me aleatët, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, për të rifilluar dialogun me njohjen e ndërsjellë si qëllimin kryesor midis Kosovës dhe Serbisë. AKR do të mbështesë këtë proces dhe do të luajë një rol konstruktiv”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Sipas tij, Kosova gjithmonë ka arritur suksese kur ka bashkëpunuar me aleatët e saj.
Qeveria Hoti sot mori vendim që të heq masat e reciprocitetit ndaj Serbisë duke deklaruar se kështu do të hiqen pengesat për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.