Edhe një rast tjetër me CoVid-19, numri shkon në 91 të prekur

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se është lajmëruar edhe një rast tjetër me Coronavirus.

Numri tani ka shkuar në 91 të prekur.

Rasti i konfirmuar pozitiv është rast kontakti dhe është me vendbanim në Prishtinë.

Nga 8 mostrat e testuara, vetëm një ka rezultuar pozitiv sipas IKSHPK-së.

Nga data 08.02.2020 deri me 28.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.037 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej nëntëdhjetë e një (91) raste me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 1.917 kontakte të rasteve.