Edhe një polic, djali i një komandanti të Policisë, arrestohet për keqtrajtim

Gjatë ditës së sotme shtatë zyrtarë policorë janë suspenduar ndërsa tre nga ta janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë.

Arrestimi dhe suspendimi i policëve në Gjakovë ka ndodhur për veprat penale – keqtrajtim dhe lëndim i rëndë trupor.

Në anën tjetër KALLXO.com mëson nga burime brenda Policisë së në mesin e policëve të arrestuar është edhe djali i një komandanti të Policisë në Gjakovë inicialet e të cilit janë A.H.

Tutje KALLXO.com mëson se ka qenë një person i cili  ishte ankuar per dhunën fizike të cilën e kishte pësuar nga disa zyrtarë policorë. E gjitha kishte nisur kur viktima nuk ishte ndaluar për t’iu shqiptuar një kundërvajtje e më pas kur është dërguar në stacion policor ai është rrahur e më pas edhe ndaluar.

Në anën tjetër Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se  kanë rekomanduar suspendimin e shtatë zyrtarëve policorë në Gjakovë ndërsa tre prej tyre ishin arrestuar si të dyshuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e IPK.

Sipas IPK-së, ngjarja është raportuar të ketë ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit kur qytetari ishte ndaluar nga Policia në Gjakovë fillimisht për një kundërvajtje në trafik.

“Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore lidhur me këtë rast duke dalë në vendin e ngjarjes.Ankuesi është dërguar për tretman mjekësor nga policia si pasojë e lëndimeve trupore që dyshohet se kanë ardhur nga përdorimi i forcës nga zyrtarët policorë”, thuhet tutje në njoftim.

Gjithashtu IPK njoftoi se pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot tre zyrtarë policorë (punonjës në Stacionin Policor të Gjakovës) që ishin të përfshirë në këtë incident.

“Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i rëndë trupor” kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra”, ka njoftuar IPK.

Lidhur me këtë rast, bazuar në autorizimet ligjore, IPK ka bërë rekomandimin për suspendim edhe të katër zyrtarëve tjerë policorë.

Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.