Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Edhe një pjesëtar i UÇK-së ftohet nga Specialja

Gjykata Speciale ka ftuar edhe një pjesëtar të UÇK-së për intervistim.

I ftuar kësaj radhe është Skender Hoti nga Malisheva dhe këtë e ka bërë të ditur kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.

“Tash sa mora lajmin se i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale është bashkluftëtari i Ushtrisë Çlitimtare të Kosovës Skender Hoti nga Malisheva, si të gjithë ushtarët e UÇK-së edhe Skenderi dhe të gjithë ne jemi krenar me vepren dhe sakrificat e të gjithë luftëtarëve, që bëmë një luftë të pastër dhe të drejtë si ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Gucati në ‘Facebook’.

Megjithatë, Gucati nuk ka bërë të ditur se në çfarë cilësie është ftuar Hoti.

Mbi 250 persona, ish ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare dhe qytetarë të Kosovës janë ftuar gjatë vitit 2019 nga Gjykata Speciale.

Disa prej tyre u ftuan në cilësinë e të dyshuarve, por shumë prej tyre ftesën e kanë marrë vetëm si dëshmitarë.

Madje u ftuan edhe disa nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, në mesin e tyre edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dikur udhëheqës të UÇK-së.