Pamje nga fillimi i takimit trepalësh në Ohër

Edhe një pauzë tjetër në takimin Kurti – Vuçiq

Janë ndërprerë sërish përkohësisht bisedimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, për t’u rikthyer sërish pas një pauze.

Kjo është pauza e dytë që është duke bërë që nga fillimi i takimit të parë në orën 15:30, përderisa palët janë duke negociuar se si do të duket ankesi i zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur si plani – franko gjerman.

Takimi i parë trepalësh mes të kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, shefit të diplomacisë evropian Josep Borrell si dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak filloi rreth orës 15:30, i cili u përcoll më pas me një pauzë të shkurtër.

Gjatë kësaj kohë nuk ka pasur deklarime zyrtare për detaje të takimit as nga ana e Qeverisë së Kosovës, por as edhe nga ana e Serbisë apo zyrtarëve nga Bashkimi Evropian.

Ekipi i KALLXO.com që po qëndron në qytetin e Ohrit, do të ju mbajë të informuar në vazhdimësi në lidhje me rrjedhat e takimit.

Kanë kaluar më shumë se 12 orë prej kur kanë filluar takimet në qytetin e Ohrit në Maqedoninë Veriore në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Përpara se të ulen së bashku në tavolinë, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime bilaterale me Borrell dhe Lajçak, e të njëjtën gjë e ka bërë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Në mëngjes kryeministri i Kosovës, ka zhvilluar takim me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti dhe ministrin e jashtëm të Maqedonisë, Bujar Osmani.

Pas këtyre takimeve, Kurti ka takuar të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Dimitar Kovachevski presidentin e këtij vendi, Stevo Panderovski.

Përpara se të takonte krerët shtetëror maqedonas, Kurti foli pak para gazetarëve duke thënë se është optimist për takimin e sotëm.

Edhe presidenti serb, Vuçiq ka takuar krerët e shtetit Maqedonas, por nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për media.

Takimi i Ohrit vie pas takimit të 27 shkurtit në të cilin palët ishin dakorduar për planin e BE-së por nuk kishin nënshkruar ndonjë marrëveshje.