Edhe një kosovar cak i Policisë shqiptare për sekuestrim të pasurisë

Një kosovar dhe një shtetas i Polonisë të dy me vendbanim në Zvicër kanë qenë objekt hetimi nga ana e Policisë së Shtetit për shkak të dyshimit se kanë përfituar pasuri duke kryer veprimtari kriminale.

Nga të dy personat H. L. 50 vjeç i lindur në Junik të Kosovës dhe R. A. nga Polonia janë konfiskuar 2.1 milion euro, prona e llogari bankare.

Policia e Shtetit tash e një kohë po zhvillon operacionin për identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, të dy personave i janë sekuestruar, tre apartamente në Rrugën e Kavajës, në Tiranë, njësi tregtare e ndodhur në Rrugën e Kavajës, në Tiranë, sipërfaqe toke, afërsisht 5.500 m2, në Radhimë, në Vlorë, asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave, llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë, në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane si dhe gjashtë automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit.

Gjithashtu policia ka njoftuar edhe se kosovari H. L është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn, në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit dhe “Pastrim parash”. Ky shtetas është i njohur për veprimtari kriminale në Zvicër, pasi është dënuar nga Gjykata e Olten-Gosen, më datë 26 nëntor të vitit 2011, për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”,“Shkelje e ligjit për armët”, të ndodhura në kohë të ndryshme.

Shtetasi i Polonisë R. S. është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”.

“Në bazë të materialeve të dërguara nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë bëri regjistrimin e procedimit penal, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale””, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.